Kryeministri Rama ka qenë në Shkodër këtë të mërkurë, ku ishte i ftuar në përkujtimin e meshës së parë katolike në Shqipëri, pas rënies së diktaturës komuniste. Ndër të tjera, Rama është shprehur se në këto varreza, të cilat i cilëson si stacione të kishës në historinë e kulturës, artit dhe aspektit shpirtëror janë një pjesë, pa të cilën historia e Shqipërisë do të humbiste kuptimin.
“Ka qenë një moment i paharrueshëm dhe rrezja e dritës që cau qiellin për të shoqëruar fjalën e Dom Simonit ka qenë momenti i parë për të gjithë ata që ishin këtu i clirimit nga ankthi dhe i përjetimit të së vërtetës se e shkuara ishte tretur në të shkuarën dhe se e ardhmja sapo kishte filluar të merrte frymë këtu, në këtë tokë të bekuar të këtyre varrezave. Fjalët e para liturgjike të belbëzuara nga Dom Simon teksa niste meshën e parë në Shqipërinë ku atë ditë këtu rilindi Zoti. 25 vite nga ndajnë nga ajo ditë, po aq sa vite ndanin nga viti 1967, gjatë së cilit At Zef Pllumbi kujton se meshtarët fshihnin enët e shenjta të kultit nga përdhosja e barbarisë. Me ato mjete është shfaqur në 4 nëntor 1990 Dom Simon Jubani së bashku me një popull të dendur dhe të mbledhur grusht njëri pas tjetrit si për të përballuar ankthin e momentit të parë dhe të bashkuar në etjen për lirinë e ndërgjegjes. Brenda këtyre mureve ndodhi një nga ato dukuritë e rralla shpirtërore dhe morale, që për fatin tonë të keq ne shqiptarët dukemi të destinuar t’i përjetojmë në forma jo të zakonshme dhe po ashtu duke i përjetuar në kohë në dukje të zakonshme, ndjesira që i kanë përjetuar njerëzit shumë kohë më parë. U ripërtërit duke nisur nga këtu e në gjithë Shqipërinë një histori martirizimi unike, jo vetëm për kishën, por për gjithë besimit. Në këto varreza dhe në këtë tempull kisha nëpërmjet fjalës dhe liturgjisë u bë tharmi i emancipimit të një kombi të tërë drejt lirisë dhe vetëvendosjes që pasoi kohët pas meshës së 4 nëntorit. Historia mund të shkruhet gjithsesi dhe sidoqoftë mbi historinë ata që e jetojnë kanë këndvështrime të ndryshme, por unë besoj se historia e madhe e ndryshimit në Shqipëri filloi atë ditë këtu dhe pararendësi i parë i saj ishte Dom Simon Jubani. Cfarë ndodhi në fund të atij viti këtu, nuk mund të ndodhte askund tjetër përvecse këtu. Ky vend nuk është i paqtë se është një varrezë por shumë më tepër se kaq, një kopësht shpirtëror dhe një lëndinë për lutje për paqe dhe shpresë. Kapela e restauruar të Dioqezës së Shkodrës, punës së famullitarit Dom Artur Jakut, besnikërisë së diasporës shqiptare në Amerikë, edhe ne që patëm nderin e madh të japim një dorë, mban fillimin e përbotshme të rrokullimit “Jepjau Zot pushimin e pasosun”. Në gjithë pasurinë e paluajtshme të kishës në Shqipëri, nuk e ka një të dytë në vendin tonë. Cdo gjë këtu është më shumë sesa varri i dikujt, por një stacion i kishës në historinë e kulturës, arteve dhe shpirtërore të Shkodrës, që është padyshim jo pjesë, por një pjesë pa të cilën historia e Shqipërisë do të humbte kuptimin. Qoftë varri i njerëzve me famë, ashtu edhe ai i familjeve të fisme shkodrane, e deri te varret e personave të panjohur kanë të gjitha bashkë një emërues që është ai i kësaj lëndine shpirtërore”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.