Nën masa të rrepta sigurie ka nisur në Mynih të Gjermanisë, konferenca e përvitshme për sigurinë. Mes 45 liderëve të shteteve që marrin pjesë në këtë konferencë tre ditore është edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili praninë e tij e shfrytëzoi për të zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme.
I tillë ishte takimi me homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis, ku të pranishëm ishin edhe delegacionet që i shoqëronin. Ende zyrat përkatëse të të dy kryeministrave nuk kanë bërë të ditur temat e diskutimit gjatë këtij takimi, por mësohet se në fokus të bisedës kanë qenë forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjithashtu kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi takime edhe me deputetin e Bundestagut, Johann Wadephul, të dërguarin special të BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, të dërguarin special në Bosnje-Hercegovinë, Christian Schmidt dhe ish-kancelarin austriak, Sebastian Kurz.
Më herë Rama njoftoi se kishte takuar edhe Jeanne Shaheen, kryetare e nënkomitetit për Ballkanin në Senatin Amerikan dhe senatorin Chris Van Hollen, me të cilët diskutoi mbi ecurinë e ndërtimit të mbrojtjes kibernetike, planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës, si edhe rolin e Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal në tërësi.
Në qendër të diskutimeve të konferencës së sigurisë është klufta në ukrainë.
Kreu i parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefançuk është ndër zyrtarët më të lartë që përfaqësojnë vendin në luftë, në këtë konferencë dhe ai pritet të flasë para udhëheqësve të tjerë botërorë si presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz e zv/presidentja amerikane Kamala Herris.