Shefi i qeverisë shqiptare është pritur në kuadër të këtij samiti nga homologu i tij maqedonas, Zoran Zaev. Biseda mes dy liderëve u fokusua tek marrëdhëniet dypalëshe dhe intensifikimi i shkëmbimeve tregtare.
Për t’i dhënë shtysë të re këtij bashkëpunimi e për të lehtësuar aktivitetin ekonomik mes dy vendeve, Rama dhe Zaev ranë dakort që muajt e ardhshëm të zhvillohet një mbledhje e përbashkët mes ekzekutiviti shqiptar dhe atij maqedonas.
Detyra e përgatitjes së axhendës së saj bie mbi ministritë e Jashtme të të dy vendeve, të cilat do të përcaktojnë dhe datën e mbajtjes së kësaj mbledhjeje.
Samiti me temë “A mund të konkurrojë rajoni në tregun global” do të dërgojë në Shkup edhe kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, Denis Zvizdiç dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviç.
Diskutimet e tyre pritet të përqendrohen tek energjia, ekonomia përfshirë atë dixhitale dhe nismat e përbashkëta në fushën e turizmit. Mbi 150 liderë biznesi nga europa jug-lindore, ministra e përfaqësues të Bashkimit Europian ishin ftuar të merrnin pjesë në takim.
Lajmet e mira nga periferia e Europës në këtë mënyre shtohen akoma më shumë. Ballkani, i konsideruar rajoni problematik i saj, po përcjell gjithmonë e më tepër sinjale afrimi e bashkëpunimi, sidomos në rrafshin ekonomik.
Muajin e kaluar, kryeministri bullgar Boiko Borisov u takua në Varna me homologun e tij rumun, grek e atë serb, ku u theksua vullneti për afrim përmes projekteve ekonomike e infrastrukturore.
Nisma të tilla i vijnë për shtat Sofjes që synon ta theksojë e ta çojë përpara perpsketivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
/ Top Channel