Basha: Keqpërdorje për të mbrojtur aferën 200 milionë euro
Kryeministri Edi Rama vijon të publikojë qëndrimet e artistëve të ndryshëm që mbështesin projektin e Teatrit të ri Kombëtar. Këtë të hënë, Rama nxori qëndrimin e regjisorit Altin Basha, që është shprehur hapur për një godinë të re.
“Qartë dhe shqip, unë mendoj se duhet një godinë e re. Pjesa muzeale mund të zgjidhet brenda godinës së re. Si regjisor, po ju deklaroj me përgjegjësi, se ajo godinë nuk ofron mundësinë për zhvillimin e një krijimtarie cilësore teatrore dhe, për rrjedhim, një cilësi të ulët produkti për spektatorët dhe qytetarët”, thotë regjisori.
Sipas Ramës, ky është një tjetër zë i spikatur që mbështet shembjen e asaj që quan ‘gërmadhë të Teatrit Kombëtar’.
“Regjisori Altin Basha, një ndër emrat më të spikatur të gjeneratës së re të krijuesve të skenës, mbështet njësoj si shumica dërrmuese e komunitetit teatror shqiptar, ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar dhe shembjen e gërmadhës ekzistuese”, shkruan Rama.
Por për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që publikon edhe një video në rrjetet sociale, Rama vijon të keqpërdorë këdo që i del përpara për aferën e 6 kullave 200 milionë euro.
“Pa kullat nuk ka asnjë interes për teatër të ri. Afera Rama-Veliaj-Mafia po bën pis dhe hedh dyshime korrupsioni financiar mbi këdo që përdoret dhe nuk distancohet nga kjo aferë e tmerrshme kriminale dhe hajdutërore. Sepse gjoja debati për Teatrin Kombëtar është në fakt për 6 kullat e për të futur në xhep 200 mln euro, dhe jo për Teatrin. Sepse për Rama-Veliaj-Mafian e Ndërtimit dhe të Drogës nuk ka Teatër pa kulla”, thotë Basha.
Partia Demokratike dhe artistët nënshkruan një marrëveshje për të mos lejuar shembjen e Teatrit dhe për ta shpallur atë monument kulture ndërsa në krahun tjetër qeveria shprehet e vendosur për të ngritur në këtë hapësirë projektin e ri./Tv Klan