Kryeministri Edi Rama nuk lëkundet nga qëndrimi i tij kundër kërkesës së opozitës për rrëzimin e qeverisë. Në një komunikim me gazetarët ditën e sotme, duke komentuar marshimin-protestë të opozitës ditën e hënë, Rama u shpreh se shumica qeverisëse nuk do të preket.
Sipas Kryeministrit, protestat e opozitës po ndikojnë negativisht në ekonominë e vendit dhe po godasin sektorin e turizmit.
“Mua nuk më impresionon faktit që dje ra numri i bombave molotov dhe ndryshoi formula e goditjes me zjarr mbi institucionet, sepse goditjet e djeshme përsëri rrezikuan jetën e uniformave blu, krijuan disa plagë për disa prej tyre dhe e djeshmja ishte një xhiro në boshllëkun e dëshpërimit të atyre që janë vetëpërjashtuar nga zgjedhjet që shkaktoi jo pak shqetësim dhe krijoi jo pak ankth për banorët në gjithë trajektoren e marshimit absurd.
Dhe këtu vlen të përsëritet se as me qëndrime as me marshime nuk zëvendësohet dhe as nuk rrëzohet qeveria dhe aq më pak bombat molotov janë një program qeverisës apo një alternativë qeverisëse, por përbëjnë një mjet për të plagosur fytyrën e Shqipërisë në sytë e botës dhe për të goditur ekonominë e vendit dhe familjare të gjithë atyre që jetojnë në këtë vend. Para se të vija këtu po diskutoja me një grup të operatorëve të turizmit, shumë të shqetësuar. Për faktin se pas përhapjes së atyre imazheve menjëherë ka anulime të rezervimeve në hotelet e vendit. Pra ka rënie të potencialit ekonomik.
Ky përbën një shqetësim real sot, fakti që këto manifestime jo vetëm që nuk sjellin asgjë të mirë, por u bëjnë keq Shqipërisë dhe shqiptarëve. E vetmja pjesë që nuk ndryshon dhe nuk ka shans të preket nga gjithë kjo, është qeveria dhe shumica qeverisëse. Gjithçka tjetër preket dhe ndryshon për keq”, tha Kryeministri Edi Rama.
Efektivët e policisë dhe gazetarët e operatorët e televizioneve i vlerësoi, teksa u shpreh se rrezikojnë jetën nga hedhjet e bombave molotov, të cilat Kryeministri i konsideroi mjete luftarake.
“Bombat molotov janë armë, përdoren për të hedhur në erë tanket. Një bombë molotov që plas ngjitur me trupin e njeriut e hedh në erë njeriun, nuk është lojë. Janë mjete luftarake. Dhe po kështu ato kapsollat. Ishim këtu kur një kapsollë i preu dorën një vajze të re efektive të policisë”.
E pyetur nga gazetarja e Tv Klan Elja Zotka lidhur me ofertën e shumicës parlamentare gjermane CDU/CSU që u ofrua për të ndërmjetësuar dialog mes palëve politike, Rama tha: “Nuk kam nevojë as për gjermanë, as për amerikanë, as për anglezë, as për francezë, për t’u ulur dhe dialogur. E kam thënë dhe e përsëris që dialogu është i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm në procesin e bashkëjetesës politike në një vend normal dhe për një shoqëri që bazohet në zgjedhjet e saj tek vota. E kam kërkuar këtë gjë edhe kur s’kisha kapsolla dhe fishekzjarr. Sot pala tjetër ka nevojë më shumë se asnjëherë për dialog. Dhe vendi ka nevojë më shumë se asnjëherë për dialog”.