Kryeministri Edi Rama ka prezantuar paraditen e së shtunës kandidatin e së majtës për Bashkinë e Vlorës, Dritan Leli.
Në fjalën e tij në këtë takim elektoral, Rama ka deklaruar se investimet e realizuara nga qeveria në këto 18 muaj janë krijuar qindra vende pune.
“Me by pass-in e Vlorës dhe me gjithë investimet e tjera që po bëjmë kemi krijuar 600 vende pune. Gjithashtu do të fillojmë brenda vitit projektin për lumin e Vlorës, duke bërë volumin më të madh të investimeve në vend. Rruga e lumit të Vlorës na krijon hapësirë për një zhvillim turistik”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, edhe projekti i Lungomares është në rrugën e duhur e po ashtu së shpejti do të bëhet realitet edhe përfundimi i rrugës Trans-Ballkanike.
“Vitin e ardhshëm do të shikojmë një rezultat spektakolar, duke e kthyer Vlorën në një nga pjesët më të bukura urbane të Mesdheut”, ka thënë Rama, duke shprehur mbështetjen e plotë për kandidatin Leli.
“Dritani, me mbështetjen e fuqishme të qeverisë, do të jetë në gjendje ta kthejë Vlorën në drejtimin e duhur dhe të shfrytëzojë potencialet e kësaj zone”, ka thënë Rama.
Një tjetër premtim i shefit të qeverisë ka qenë ai për furnizimin e Vlorës, si qytet dhe më pas si qark, me ujë të pijshëm. “Kjo është pjesë e reformës strukturore që së shpejti do t’i shkojë Parlamentit”, ka shtuar Rama.