“Europa e dyzuar sepse ka harruar të kaluarën”
Kryeministri Edi Rama zbulon se numri i qytetarëve afganë që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri mund të shkojë në 3000. Në një intervistë për të përditshmen italiane IL Foglio, Rama thotë se strehimi i afganëve është një detyrim për vendin tonë.
“Flitet për 2000-3000 persona. Historia jonë na e imponon këtë gjë. E kemi jetuar luftën dhe kujtesën e saj e kemi të freskët”.
I pyetur nga gazetari italian nëse me këtë vendim qeveria shqiptare po i jep një leksion Italisë dhe vetë Europës që nuk duket shumë e përfshirë në procesin e strehimit të afganëve që kërkojnë t’i ikin regjimit taliban, Rama e mohon dhe shpjegon arsyet.
“Nëse Evropa është e dyzuar edhe për Afganistanin, është sepse s’e mbajnë mend historinë. Nuk i jap leksione askujt. Aq më pak Italisë, ndaj së cilës jam shumë i lidhur. Por, po them se pritja e refugjatëve është detyrim i yni. Unë mbaj mend Millosheviçin, mbaj mend luftën, refugjatët, vdekjen torturat. Ishim ne afganët dikur, për ju italianët”.
Qeveria shqiptare dhe kosovare janë të parat që shprehen gatishmërinë për të mirëpritur disa qindra qytetarë afganë për një periudhë tranzitore, në mbështetje të kërkesës së SHBA.