Të dy të pranishëm në Samitin e NATO-s, kryeministri Edi Rama dhe homologu grek, Kyriakos Mitsotakis përfituan nga rasti për të diskutuar për paktin detar të mbetur pezull mes dy vendeve.
Rama dhe Mitsotakis ranë dakord që të vazhdojnë arritjen e marrëveshjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
“Të dy Kryeministrat ranë dakord që, pas zgjedhjeve në Shqipëri, të dy vendet janë të gatshme të shpejtojnë negociatat për përfundimin e një marrëveshje të përbashkët për referimin e caktimit të kufijve të Zonave të tyre Detare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”, njoftoi zyra e Kryeministrisë greke.
Në fokus të bisedës mes tyre ishin edhe të drejtat e pakicës greke në Shqipëri, ku edhe një herë tjetër, kreu i qeverisë greke përsëriti se respektimi i të drejtave është parakusht për hapjen e negociatave për Shqipërinë.
Nga ana e kryeministrit Rama nuk munguan falënderimet për 20 mijë vaksinat AstraZeneca që Greqia i dhuroi Shqipërisë.