• 75% e sëmundjeve infektive të reja janë zoonotike.
• Po ashtu edhe 60% e sëmundjeve të njohura infektive.
• 100 miliardë dollarë janë humbur nga sëmundjet zoonotike në dy dekadat e fundit – pa llogaritur COVID-19.
Më shumë se gjysmë milion vdekje. Pothuajse 12 milionë infeksione. Dhe këto janë vetëm shifrat e konfirmuara. Plus, rreth 9 trilionë dollarë të shpenzuara në stimul ekonomik nga qeveritë e botës, shkruan Forumi Ekonomik Global. E gjithë kjo në pak më shumë se gjashtë muaj që nga shfaqja e koronavirusit COVID-19. Ndërkohë, infeksionet po vazhdojnë, dhe në disa vende po rriten ndjeshëm.
Pavarësisht përpjekjeve të mëdha në të gjithë botën për të adresuar simptomat e pandemisë së koronavirusit, shkaqet rrënjësore kryesisht janë injoruar, sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP).
Në një raport të ri me titull “Parandalimi i pandemisë së ardhshme: sëmundjet zoonotike dhe si të ndërpresim zinxhirin e transmetimit”, UNEP bën thirrje për një “strategji të vetme shëndetësore” për të ribalancuar nevojat e njerëzve, planetit dhe kafshëve.
Raporti përshkruan se sa ka ndikuar aktiviteti njerëzor në vitet e fundit për të hedhur themelet për një pandemi. Urbanizimi i rritur, zgjerimi i shpejtë i qyteteve dhe bujqësia e industrializuar janë disa nga shkaqet më të mëdha shqetësuese. Ato kanë shkaktuar ndryshimin e klimës në nivele të jashtëzakonshme, humbjen e biodiversitetit dhe dëme mjedisore. “Përhapje të mëtejshme do të shfaqen nëse qeveritë nuk marrin masa aktive për të parandaluar sëmundjet e tjera zoonotike që të mos transmetohen në popullatën njerëzore”, paralajmëron raporti.
Të mësojmë nga e kaluara
Sëmundjet zoonotike janë sëmundje që transmetohen nga kafshët te njerëzit. Minjtë, lakuriqtë e natës, majmunët dhe shimpanzetë, si dhe bagëtitë, janë ndër kafshët që kanë më shumë gjasa të përhapin mikrobe zoonotike. Disa që janë përhapur në këtë mënyrë përfshijnë sëmundje si Ebola, HIV, SARS, MERS, Zika, dhe koronavirusi.
“Shkenca tregon qartë se nëse vazhdojmë të shfrytëzojmë kafshët e egra dhe të shkatërrojmë ekosistemet tona, atëherë mund të presim një rrjedhë të qëndrueshme të këtyre sëmundjeve që do të transmetohen nga kafshët te njerëzit në vitet në vazhdim”, thotë drejtoresha ekzekutive e UNEP, Inger Andersen.
“Pandemitë janë shkatërruese për jetët dhe ekonomitë tona, dhe siç e kemi parë në muajt e fundit, ata që vuajnë më shumë janë më të varfrit dhe më të rrezikuarit. Për të parandaluar përhapje në të ardhmen, ne duhet të jemi më të vëmendshëm në mbrojtjen e mjedisit natyror”, shton ajo.
Qasja “pro shëndetësore”
Rreth 2 milionë njerëz vdesin çdo vit për shkak të sëmundjeve zoonotike. Statistikat përfundimtare për numrin e vdekjeve nga COVID-19 vetëm mund të hamendësohen, por ka të ngjarë që viti 2020 do të regjistrojë një numër më të lartë se mesatarja.
Shumica e këtyre vdekjeve ndodhin në vendet më të varfra, thotë UNEP. Ai vlerëson se më shumë se 100 miliardë dollarë në aktivitet ekonomik janë humbur në dy dekadat e fundit për shkak të sëmundjeve zoonotike. Vdekjet dhe sëmundjet në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ndikojnë në komunitetet njerëzore në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes humbjes së jetës dhe të tërthortë, përmes humbjes së mjeteve të jetesës. Fermerët e vegjël mund të humbasin bagëti të vlefshme dhe të hyjnë në një cikël varfërie.
“Ne duhet të investojmë për t’i dhënë fund shfrytëzimit të tepërt të kafshëve dhe burimeve natyrore, duke kultivuar në mënyrë të qëndrueshme, për të mbrojtur degradimin e tokës dhe shëndetin e ekosistemit”, argumenton Andersen. “Një pjesë e këtij procesi është miratimi urgjent i ekspertizës dhe politikave të integruara të shëndetit të njeriut, kafshëve dhe mjedisit – një qasje “pro shëndetësore”. Qasja pro shëndetësore e UNEP bën një sërë rekomandimesh që mund të merren parasysh në parandalimin e përhapjeve të ardhshme, si:
• Kryerja e më shumë hulumtimeve për sëmundjet zoonotike.
• Kryerja e analizave kosto-përfitim të ndërhyrjeve që përfshijnë ndikimet shoqërore të sëmundjes.
• Ndërgjegjësimi mbi sëmundjet zoonotike.
• Përmirësimi i praktikave të monitorimit dhe rregullimit.
• Stimulimi i praktikave të qëndrueshme të administrimit të tokës që promovojnë biodiversitetin