Forcat e sigurisë në Mianmar, shtet i njohur edhe si Birmani, kanë shtënë sërish me armë zjarri në protestat kundër puçit, më 5 mars, duke lënë të vdekur dy persona dhe duke plagosur rëndë tre të tjerë. Dyqanet, fabrikat dhe bankat janë mbyllur në qytetin kryesor Yangon, në kuadër të kryengritjes kundër udhëheqësve ushtarakë të këtij shteti.
Forcat e sigurisë kanë vrarë më shumë se 50 persona në protestat dhe grevat kundër puçit të 1 shkurtit, sipas të dhënave të javës së kaluar të Kombeve të Bashkuara. Në fotografitë e publikuara në rrjetin social Facebook janë parë trupat e dy burrave të shtrirë në qytetin verior Myitkyina.
Dëshmitarët kanë thënë se kanë qenë pjesë e protestës kur kanë dëgjuar granatat dhe gazin lotsjellës.
Shumë persona janë qëlluar më pas me armë zjarri nga ndërtesat në afërsi.
Ende nuk është bërë e qartë kush ka shtënë ndaj protestuesve, ndonëse si policia, ashtu edhe ushtria, kanë qenë në protesta, kanë deklaruar dëshmitarët.
Të paktën nëntë sindikata nga sektorë të ndryshëm, përfshirë ndërtimtarinë, bujqësinë dhe prodhimin, u kanë bërë thirrje njerëzve që të mos punojnë dhe të kthejnë mbrapsht puçin, për të kthyer qeverinë e zgjedhur të lideres Aung San Suu Kyi.
Në një deklaratë të publikuar më 8 mars, ushtria ka thënë se ka arrestuar 41 persona një ditë më parë./REL