Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, shkoi në Hagë një ditë pas përfundimit të presidentit Thaçi dhe takoi disa udhëheqës të Gjykatës Speciale.
Por ky veprim i eurodeputetes gjermane, zgjoi kritika të ashpra në Kosovë, për ndërhyrje në drejtësi. Mirëpo, Cramon një gjë të tillë e mohoi kategorikisht.
“Unë kurrë s’kam ndërhyrë dhe kurrë nuk do ta bëja një gjë të tillë. Askush nga ne në Parlamentin e Europës nuk do të involvohej në ndonjë vendim të gjyqësorit. Kur bisedoni me prokurorin special Jack Smith, pastaj me ata të regjistrit si dhe me kryetarin e gjykatës ju do ta shihni se ata janë krejt të pavarur. Ata nuk do të lejojnë të bëni madje asnjë pyetje specifike për cilindo rast që e kanë në shqyrtim”, tha ajo për Klan Kosovën.
Raportuesja në Parlamentin Evopian mohon se kishte ftesë për vizitë por vetëm kërkesë që e kishte bërë qysh në fillim të vitit e që e realizoi të premten e 17 korrikut.
“Specialja është strukturë e rëndësishme për sundim të ligjit e Kosovës. Është obligimi im që të njoftohem me punën e këtij institucioni në Hagë. Kjo ishte arsyeja kyçe e vizitës sime. Natyrisht isha e interesuar të dija se si është strukturimi dhe pse kanë marrë aq shumë kohë”, shpjegoi ajo.
Ajo tha se krijoi bindje se deri në verën e vonshme do të jepet lajmi për konfirmimin ose jo të aktakuzës ndaj Thaçit dhe disa të tjerëve që u ngrit më 24 prill e u bë publike më 24 qershor.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, të premten ka folur për punën e Gjykatës Speciale në Hagë.
Ajo përmes një shkrimi në Twitter, ajo ka treguar se ka vizituar Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Cameron është shprehur se Specialja është institucion i rëndësishëm për të sjellë drejtësi në Kosovë, për krimet e supozuara të luftës.
“Sot pata një vizitë të planifikuar në Dhomat e Specializuara të Hagës dhe në Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Institucione të rëndësishme këto për të sjellë drejtësi në Kosovë ndaj atyre personave që besohet se kanë kryer krime lufte, pavarësisht kombësive të tyre”, është shprehur Viola von Cramon.
Deri më tani prokurorët kanë intervistuar qindra ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë javës së kaluar në Hagë është intervistuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Pas daljes nga Prokuroria më 16 korrik, Thaçi deklaroi se ka dhënë dëshminë e tij dhe se pret që prokurori dhe gjykatësi të vendosin në mënyrë profesionale për dëshminë e tij.