Vladimir Putin ka thënë se një lëvizje perëndimore për të lejuar Kievin të përdorë armë me rreze më të gjatë kundër objektivave brenda Rusisë do të thotë se NATO do të ishte “në luftë” me Moskën.
Putin foli ndërsa diplomatët e lartë të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe diskutuan lehtësimin e rregullave për gjuajtjen e armëve perëndimore në Rusi, për të cilën Kievi ka bërë presion, më shumë se dy vjet e gjysmë pas ofensivës së Moskës, shkruajnë mediat e huaja.
“Kjo do të ndryshonte në një mënyrë domethënëse vetë natyrën e konfliktit”, i tha Putin një gazetari të televizionit shtetëror.
“Kjo do të thotë se vendet e NATO-s, SHBA-të, vendet evropiane, janë në luftë me Rusinë”, shtoi ai. “Nëse është kështu, atëherë duke marrë parasysh ndryshimin e natyrës së konfliktit, ne do të marrim vendimet e duhura bazuar në kërcënimet me të cilat do të përballemi”.
Komentet e Putinit erdhën një ditë pasi sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, dha aludimin e tij më të fortë se Shtëpia e Bardhë është gati të heqë kufizimet e saj ndaj Ukrainës për të përdorur armë me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga perëndimi në objektivat kryesore ushtarake brenda Rusisë.
Duke folur në Kiev së bashku me sekretarin e jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, Blinken tha se SHBA “që nga dita e parë” ishte e gatshme të përshtaste politikën e saj ndërsa situata në fushën e betejës në Ukrainë ndryshonte.
“Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, theksoi ai.
Blinken tha se ai dhe Lammy do t’u raportojnë “bosëve” të tyre – Joe Biden dhe Keir Starmer – pas bisedimeve të tyre të mërkurën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.