Në fund të vitit 2013, së bashku me Bankën Botërore, Banka e Shqipërisë ndërmori një program të posaçëm për të ulur kreditë e këqija. Programi konsistonte në përzgjedhjen e 17 kredimarrësve të mëdhenj problematikë, të cilët zënë rreth 22 për qind të totalit të kredive me probleme, ose e thënë në vlerë, rreth 200 milionë euro.
Sipas planit, këto ndërmarrje, të cilat kanë kredi në disa banka njëherësh, do të merreshin në një analizë të hollësishme mbi treguesit e tyre financiarë. Kjo, për të përcaktuar më mirë këstin, që ata mund të përballonin. Paralelisht, meqenëse shumica e këtyre ndërmarrjeve kishin kredi njëherësh në disa banka, skema parashikonte përcaktimin e një banke udhëheqëse, e cila me konsensusin e bankave të tjera do të arkëtonte paratë, për t’i shpërndarë më vonë te to. Kjo bëhej, që ndërmarrjet të mos ishin nën presionin e disa bankave njëherësh.
Por, kur nisma u vu në zbatim vitin e kaluar, bankat u ndeshën përballë një të papriture. Një numër i madh i bizneseve nuk pranuan të jenë pjesë e programit, duke hezituar të japin dakordësinë për shkëmbimin e informacionit midis bankave, ku ata kanë marrë kredi, duke shfrytëzuar imunitetin që jep ligji për mbrojtjen e të dhënave personale. Si rezultat, Banka e Shqipërisë thotë se është arritur të gjendet zgjidhje vetëm për një numër të kufizuar kredimarrësish.
Megjithatë, banka bën të ditur se do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti, ku janë në diskutim një sërë rastesh të tjera me kredimarrësit e mëdhenj. Në fund të tremujorit të parë, kreditë me probleme në sistem ranë në 22.7 për qind. Banka e Shqipërisë synon, që deri në fund të vitit, shifra të ulet nën 20 për qind.