Aleksandër Vuçiç: Do ketë pasoja të mëdha
Serbia po mban sot referendumin për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me reformimin e sistemit gjyqësor. Por ashtu siç konfirmoi të shtunën edhe Kuvendi i Kosovës në rezolutën e miratuar, procesi i votimit nuk është lejuar në territorin e republikës së Kosovës.
Në këto kushte Komisioni i Zgjedhjeve në Serbi vendosi që serbët nga Kosova të votojnë në disa komuna në jug të saj. Kryetari i këtij komisioni, Vladimir Dimitrijeviç, tha se serbët mund tu drejtohen qendrave në Kurshumli, Novi Pazar, Rashkë e Vranjë, që shtrihen jo larg kufirit me Kosovën.
Fill pas këtij vendimi qindra qytetarë nga veriu i Kosovës iu drejtuan pikave kufitare për të shkuar në Serbi dhe për të votuar.
Ndërkohë që grupe të vogla qytetarësh serbë protestuan në veri të Mitrovicës dhe në komunat me shumicë serbe, kundër vendimit të autoriteteve kosovare për ndalimin e mbajtjes së referendumit edhe në Kosovë.
Në mesin e protestuesve ishte edhe ministri Goran Rakiç, i cili tha se komunat me shumicë serbe do të vendosin reciprocitet në veri të vendit nëse Qeveria e Kosovës nuk do lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 Prillit.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç teksa votoi në Beograd, tha se vendimi i Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e këtij referendumi “do të ketë pasoja të mëdha”.
Një ditë më parë me 76 vota pro, parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë sipas së cilës mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues dhe është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.