Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të vazhdojnë punën për të dënuar rastet e korrupsionit në nivelet e larta.
Në konferencën “Forcimi i drejtësisë penale” ku ambasadorja ishte e ftuar, përshëndeti hetimet e javëve të fundit nga SPAK që kanë çuar në arrestimin e zyrtarëve, ku rasti më i fundit ishte një ditë më parë me prangosjen e kryebashkiakut të Lushnjes.
Ajo u kërkoi institucioneve të drejtësisë që të punojnë në koordinimin me njëra-tjetrën për të intensifikuar këtë luftë.
Megjithatë, diplomatja amerikane theksoi se sistemi penal është funksional por jo në nivelet më të larta të performancës.
“Ky është një moment i rëndësishëm. Do të doja të thoja që ajo që jemi duke parë është rezultat i një pune të gjatë të vështirë orë të tëra të kaluara duke ndërmarrë veprime sipas rastit. Presim me kënaqësi të shikojmë më shumë nga këto në ditët dhe muajt që vijnë. Ju e dini më mirë se unë që ndjekja penale e suksesshme nuk varet nga puna e mirë e një institucioni të vetëm. Të gjitha institucionet e drejtësisë duhet të punojnë së bashku për të ndërtuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë penale. Veprimet që kemi dëshmuar në javët e fundit që kur institucionet e drejtësisë janë ngritur kanë filluar të ndërtojnë besimin e publikut. Sistemi është funksional, por nuk është ende në majë të performancës për shkak të mungesës së personelit dhe mungesës së besimit të publikut. Tani është koha për të ndërtuar një urë drejt funksionalitetit të plotë. Ju nxis që të punoni së bashku për të identifikuar boshllëqet në kapacitetin tuaj institucional. SHBA do vazhdojnë t’ju mbështesin, të punojnë në partneritet me ju për të ndërtuar një Shqipëri më të sigurtë dhe më demokratike”, tha ambasadorja amerikane.