Pasi është rikthyer nga pushimet verore në mesin e muajit gusht, Kancelarja gjermane Angela Merkel është shfaqur me “vetulla të ngritura”, teksa e përshkruan problemin e refugjatëve në Europë si një sfidë edhe më të madhe nga kriza greke, e cila la në hije gjithçka tjetër gjatë gjysmës së parë të vitit 2015.
Askush në Gjermani nuk e vë më në dyshim vlerësimin që po i jep ajo kësaj çështjeje. Kjo, pasi gjatë dy javëve të fundit, vendi është tronditur nga një stuhi “perfekte” e titujve mediatikë, të cilat kanë ngritur edhe më lart në axhendën publike dhe politike këtë çështje, që fillimisht u pa në Gjermani si një problem i Europës jugore.
Në fillim, ministri i Brendshëm i kabinetit të Merkelit njoftoi se priste rreth 800 mijë azilkërkues të mbërrinin në Gjermani deri në fund të këtij viti, thuajse dyfishi i sasisë së parashikuar vetëm pak muaj më parë, apo 4-fishi i numrit të përgjithshëm të vitit të kaluar.
Më pas erdhën protestat e ekstremit të djathtë kundër refugjatëve në qytetin lindor të Heidenaut, ku mbetën mbi 30 policë të plagosur dhe rigjallëruan spektrin e dhunës raciste, të cilën Gjermania e kishte përjetuar në fillimvitet ’90, kohë kur numri i azilkërkuesve u rrit për herë të fundit.
Më tej, ditën e enjte të javës së kaluar, një kamion i braktisur me 71 emigrantë të vdekur u gjet në një autostradë në Austri, pikërisht kur Merkeli mbërriti në Vjenë për të marrë pjesë në një konferencë mbi Ballkanin Perëndimor. Ajo është vënë në lojë si “tradhtare” nga banorë të Heidenaut një ditë më parë, për shkak të solidaritetit të shfaqur me refugjatët atje, por u shfaq dukshëm e tronditur në Vjenë, kur foli ndaj reporterëve në lidhje me zbulimin e tmerrshëm të asaj dite.
Krejt papritur, duket se pesha më e madhe e krizës së refugjatëve po fillon të ndihet dhe të regjistrohet në Gjermani. Megjithatë, Merkeli nuk është e “parrahur” me krizat. 10 vitet e saj në pushtet janë dominuar nga një situatë e vështirë globale financiare, trazirat në Eurozonë, konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës, e tashmë… Gjithsesi, të gjitha këto kriza kanë qenë larg dhe disi të huaja për gjermanët.
Tani ka ardhur koha që ajo të përballet me një problem, i cili duket se po shfaq një efekt të thellë në komunitetet anembanë Gjermanisë. “Gjatë krizës së euros, njerëzit kishin përshtypjen se ishin vendet e tjera që përballeshin me këtë problem dhe se Gjermania ishte në gjendje luksi. Por tani barra më e madhe është pikërisht ndaj gjermanëve”, bën të ditur e përjavshmja gjermane “Die Zeit”. “Për herë të parë, që kur Merkel erdhi në pushtet, Gjermania mund të shihet si një vend problematik ose i prekur nga një problem”.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka arritur deri aty sa të thotë se “Europa duhet të lëvizë si një trup i tërë”, për të gjetur një zgjidhje sesi të përballohen refugjatët dhe emigrantët që po mësyjnë Europën, e veçanërisht Bashkimin Europian. “Nëse Europa dështon mbi këtë çështje, atëherë kjo nuk do të ishte synimi i kërkuar prej Europës”, ka deklaruar ajo.
Këtë deklaratë, Merkel e ka dhënë pasi autoritetet austriake kanë arrestuar 5 persona të dyshuar si trafikantë të qenieve njerëzore, përgjatë kufijve lindorë të vendit.