Kombëtarja mundet 1-0 me Islandën
Me një gol të pësuar në mesin e pjesës së parë, Shqipëria e humbi ndeshjen ndaj Islandës. Shqipëria me dy lojtarë në sulm e nisi me presion ndeshjen ndaj Islandës dhe rasti i parë ishte i Hysajt në minutë e 4′ por goditja e mbrojtësit u prit nga portieri vendas. Më efektivë ishin islandezët kur në minutën e 22′, Gudmundson arriti të kalojë disa lojtarë në zonë dhe gjeti rrjetën në portën e mbrojtur nga Berisha.
Kuqezinjtë të drejtuar nga Edi Reja krijuan disa raste por mungoi finalizimi edhe për shkak të vendosjes së mirë të mbrojtjes së Islandës.
Thuajse e gjithë pjesa e mbetur e ndeshjes shkoi kështu: Me Shqipërinë që bëri më shumë volum loje por pa krijuar mundësi të pastra shënimi.
Edhe zëvendësimet e bëra nga Reja, nuk sollën efektin e dëshiruar në lojën e kuqezinjve. Nga ana tjetër islandezët veç rastit të golit nuk patën asnjë mundësi tjetër shënimi.
Edy reja dështoi në debutimin e tij me kombëtaren shqiptare. Tashmë tekniku italian duhet të ribëjë edhe një herë llogaritë për ndeshjen me Moldavinë që do të luhet në “Elbasan Arena” më 11 Qershor.