Trajneri i kombëtares shqiptare, Edy Reja, tha pas ndeshjes me Islandën, e cila doli barazim 1 me 1, se paraqitjet në këtë edicion të Ligës së Kombeve kanë qenë një dështim. Ai u shpreh se tashmë është momenti për të bërë analizat e duhura edhe me presidentin e FSHF, Armando Duka. Reja tha se i ka dhënë dinjitet skuadrës kombëtare.
“Sa i përket të ardhmes nuk mund ta them tani sepse, duhet të bëjmë analizat e duhura, për të parë punën që është bërë me skuadrën gjatë kësaj kohe dhe për të bërë konsideratat e duhura. Duke thënë këtë duhet të takohemi me Presidentin. Tani jemi shumë të zhgënjyer, qoftë unë dhe presidenti, qoftë edhe tifozët dhe i kërkoj ndjesë për këtë rezultat dhe këtë paraqitje. Donim shumë të fitonim qoftë kjo ndeshje, qoftë edhe me Izraelin, por kjo nuk ndodhi. Një trajner kur nuk vjen rezultati i duhur duhet të bëjë konsideratat e tij, duhet të diskutojë me presidentin për të bërë një analizë të tre viteve që këtu. Mendoj se i kam dhënë dinjitet Shqipërisë. Kemi bërë një grup të mirë. Lojtarët kanë qenë të kënaqur me punën e bërë. Sigurisht që nuk jemi të kënaqur me rezultatet e marra në Nations League. Të paktën duhet të arrinim në vend të dytë edhe pse objektivi ishte për të shkuar në vend të parë. Mund të them që ishte një dështim, krahasuar me rritjen që patëm vitin e kaluar. Kjo nuk është një skuadër që mund të marrë 2 pikë, duhet të merrte minimalisht 5 ose 6 pikë. Kjo nuk ndodhi dhe për këtë arsye duhet të bëjmë ato analizat e duhura”, tha Reja.
Kombëtarja shqiptare e përfundoi Ligën e Kombeve në vendin e fundit me 2 pikë, në një grup me Izraelin dhe Islandën./tvklan.al