Reporterët pa Kufij thanë se shteti rus “po shtrëngon kontrollin” në internet, duke “kufizuar” në mënyrë drastike lirinë e shtypit dhe të shprehjes.
Në një raport të publikuar të martën, organizata me seli në Paris tha se së paku pesë ueb-faqe të pavarura është dashur të ndërpresin aktivitetin e tyre këtë vit.
Sipas organizatës, disa media janë shpallur “në mënyrë arbitrare” agjente të huaja në Rusi, përfshirë kanalin TV Dozhd, portalin e lajmeve me bazë në Letoni, Meduza, dhe disa ueb-faqe hulumtuese.
Autoritetet ruse, me dëbimin e korrespondentes së vjetër të BBC-së, Sarah Rainsford, kanë sinjalizuar po ashtu se “reporterët e huaj do të lejohen të punojnë pa pengesa, për aq kohë sa përmbahen nga kritikat ndaj atyre që janë në pushtet”, thanë Reporterët pa Kufij.
Komentet vijnë pëprara se Rusia të mbajë zgjedhjet parlamentare, muajin e ardhshëm.
Drejtori në Gjermani i Reporterëve pa Kufij, Christian Mihr, u bëri thirrje qeverive demokratike që “të mbrojnë fuqishëm të drejtën themelore për lirinë e shprehjes në marrëdhëniet e tyre të ardhshme me Rusinë”.
“Pa media të pavarura që raportojnë realitetin shoqëror në Rusi, zgjedhjet humbin të gjithë kuptimin e tyre”, tha përmes një deklarate Mihr.
Në Indeksin e Reporterëve pa Kufij për Lirinë e Shtypit, Rusia renditet e 150-ta në mesin e 180 vendeve.