Trupat ukrainase furnizohen me mjete dhe municion, Moska ngurron të shpallë fitoren
Këta janë ushtarakë ukrainas duke larguar të plagosurit nga beteja për Soledar-in, qytet në lindje të cilin Rusia fillimisht pretendoi se e ka nën kontroll. Por Soledar-i nuk ka rënë dhe Presidenti Volodymyr Zelensky është tallur me pretendimet ruse.
Ushtarët ukrainas të vendosur pranë Soledarit thanë të enjten (12 Janar) se po mbrojnë pozicionet e tyre.
“Intensiteti i bombardimeve u rrit me rreth 70%. Por asgjë nuk ndryshoi rrënjësisht. Luftëtarët tanë po e mbajnë vijën e mbrojtjes si dikur”.
Milicia ultra-nacionaliste Wagner, e drejtuar nga një aleat i Presidentit Vladimir Putin jashtë zinxhirit kryesor të komandës ushtarake ruse, pretendon se ka marrë kontrollin e Soledar-it pas luftimeve intensive që e kanë lënë qytetin të mbushur me të vdekur ukrainas. Moska vetë nuk e ka shpallur zyrtarisht fitoren.
Imazhet e fundit satelitore tregojnë shkallën e shkatërrimit të shkaktuar nga luftimet intensive midis forcave ukrainase dhe ruse rreth qyteteve Soledar dhe Bakhmut në vijën e frontit lindor të Ukrainës.
Pamjet e kapura nga kompania private amerikane Maxar Technologies tregojnë vendbanime të djegura në Soledar dhe një fushë në Bakhmut të copëtuar nga predhat.
Kreu i milicisë private ushtarake ruse Wagner, Yevgeniy Prigozhin,tha se forcat e tij kanë arritur “çlirimin” e plotë të Soledar-it, duke vrarë rreth 500 trupa pro-ukrainase. Sipas Prigozhin-it ushtarët e tij kanë nën “kontroll të plotë” qytetin.
Ndërkohë vijojnë përpjekjet diplomatike për të pajisur Ukrainën me tanke luftuese. Ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrechttha të enjten se Berlini nuk përjashton mundësinë e dërgimit të më shumë tankeve luftarake në Ukrainë.
Ministrja vizitoi një batalion pjesë të forcës së reagimit të shpejtë të NATO-s dhe pa nga afër një mjet të blinduar Marder, 40 copë të këtij modeli do t’i dorëzohen Ukrainës.
Gjermania pritet të licensojë Poloninë dhe Finlandën për të dërguar take Leopard 2 në Ukrainë, por për këtë kërkoi që së pari ShBA-ja të dërgojë në front tanket e modelit Abrahams 1.
Polonia ka kërkuar për dërgimin e më shumë tankeve, duke përfshirë tanket Leopard.