Në Aeroportin Nënë Tereza” të Rinasit në Tiranë, mesditën e së enjtes u riatdhesuan 70 shqiptarë, të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën “Shengen”.
Policia shqiptare njoftoi zyrtarisht se riatdhesimi u realizua përmes dy fluturimeve të përbashkëta me ‘charter’, organizuar nga Britania e Madhe dhe Franca.
“Të riatdhesuarit kanë shkelur rregullat e qëndrimit në zonën ‘Shengen’ dhe disa prej tyre kanë hyrë dhe qëndruar në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe”, shtuan burimet, sipas të cilave “ata janë penalizuar për 5 vjet të mos udhëtojnë drejt vendeve të hapësirës ‘Shengen’ si dhe në Britaninë e Madhe”.
Mësohet se, në bordet e dy avionëve kishte në përbërje të eskortës edhe mjekë e psikologë. Nga shtetasit e deportuar 15 janë kthyer nga Franca, ndërsa 55 nga Britania e Madhe.