Ringjallësit e marksizëm-leninizmit “fetar”

Bashkësia Fetare Islame në RMV ka marrur karakterin e qendrës së fitneve, të intrigave, ka marrë karakterin e entit ndëshkues dhe, së fundmi do ta marrë edhe karakterin e entit komunist që e vriste fjalën e lirë, që e ngulfaste lirinë e shprehjes, që dëshironte të sitë çdo informatë para se të dalë në opinion e që duhej të ishte ekskluzivisht në shërbim të ideologjisë marksiste-leniniste

Nga Ilir Berisha

Në “Çairsa 52” qenkan mbledhur “llutkat” marionetë të “rijasetit” të Shaqir Fetait dhe paskan vendosur që edhe një herë të manipulohen deri në gushë nga “reisi” i tyre. Nga raportimi i parë (jo ai i redaktuari!) merret vesh se, brenda një mbledhje që ka zgjatur 2 orë e 18 minuta, në të cilën na paskan marrur pjesë të gjithë myftinjtë (!!!), qenkan miratuar një sërë raportesh financiare, si llogaria përfundimtare e myftinive, plan-programi financiar i myftinive, llogaria përfundimtare e “Rijasetit”, plan-programi financiar i “Rijasetit” dhe kopalla të ngjashme! Si përfundim, unanimisht qenkan dakorduar se këtë vit salldoja financiare paska qenë shumë pozitive! Pozitive pa Myftininë e Tetovës? Pozitive pa Myftininë e Kumanovës? Pozitive me paratë që vidhen në Myftininë e Strugës për ç’gjë kanë reaguar disa herë vetë imamlerët e kësaj Myftinie?
Do me thënë, fijaskon financiare, dështimin katastrofal, Shaqir Fetai mundohet që ta përmbyllë vetëm me dy orë e tëtëmbëdhjetë minuta! Miratimi i këtyre raporteve, fillimisht raportimi dhe debati mbi to, kërkon seanca më vete, kërkon mbledhje më vete dhe jo “të gjithë pro”! Sepse, një ditë, që të gjithë do të përgjigjen, për çdo cent, sepse, ky shtet do të bëhet, do të jetë “nënë” për të gjithë, do të vlejë sa për kriminelët profesionistë aq edhe për ata kriminelë që zgjedhin të fshihen nën petkun e “fesë”!
Paskan vendosur që të gjitha këto raporte, si dhe biltenin mbi aktivitetet e BFI-së të botohen në format libri dhe, tek pastaj, të ftohet Kuvendi i BFI-së! Mbase për t’i promovuar këta botime? Në Kuvend nuk ka se çfarë të diskutohet, nuk ka se çfarë të hiqet e çfarë të shtohet, sepse të gjithë do të jenë para aktit të kryer: të votohet ajo që është publikuar! Kritikës, apo propozimit intelegjent, t’i mbyllet goja!
Kur jemi te “mbyllja e gojës”, në këtë mbledhje qenka debatuar edhe nevoja për themelimin e “komisionit disiplinor” për t’ia mbyllur gojën kritikës, fjalës së lirë, llopatës e cila fëlliqësirat nëntokësore në BFI po i nxjerr mbi sipërfaqen e tokës së Institucionit!
Me gjasë, Shaqir Fetai nuk e di se komisionet ndihmojnë për të strukturuar më mirë aktivitetin e një institucioni fetar dhe për të siguruar që ky institucion të operojë në përputhje me parimet e drejtësisë, transparencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Komisionet bëhen për t’u krijuar mundësitë për kontroll të brendshëm dhe për zgjidhjen e çështjeve që mund të shfaqen, duke i dhënë mundësi institucionit të rritet dhe të përshtatet me nevojat dhe kërkesat e besimtarëve dhe shoqërisë. Formimi i komisioneve të ndryshme brenda një institucioni fetar, siç është BFI-ja në këtë rast, ka rëndësi për disa arsye të rëndësishme që lidhen me administratën, transparencën dhe funksionimin efikas të këtij institucioni.
Komisionet mund të krijohen për të monitoruar dhe vlerësuar veprimtarinë financiare dhe menaxhimin e burimeve të institucionit. Kjo siguron që proceset financiare të jenë të qarta dhe të mbështetura nga llogaridhënia.
Komisionet mund të krijohen për të trajtuar çështje të veçanta që kërkojnë ekspertizë ose fokus të veçantë, siç janë zgjidhja e problemeve të brendshme të një myftinie, shqyrtimi i mundësive për akreditim të shkollave islame, ose mbikëqyrja e aktiviteteve sociale dhe kulturore të institucionit.
Kur komisionet janë të formuara dhe funksionojnë në mënyrë të rregullt dhe të drejtpërdrejtë, ato mund të ndihmojnë në krijimin e një organizimi më efikas dhe në përmirësimin e marrëdhënieve brenda strukturave të BFI-së. Komisionet mund të ofrojnë një mundësi për të deleguar përgjegjësi dhe për të siguruar se çdo aspekt i aktivitetit të institucionit është i mbikëqyrur dhe analizuar me kujdes.
Atëherë, marrë parasysh për më sipër, pse Shaqir Fetai nuk formon komisione, si:

1. Për analizimin e shpenzimevet kuturu të letrave në vlerë të dedikuar për vakëf nga vakëfi i denacionalizuar;

2. Për zgjidhjen islamike (jo me policë e me gjykatës që po e shterrin kacën e BFI-së) të problemit me Myftininë e Tetovës;

3. Për zgjidhjen islamike të problemit me Myftininë e Kumanovës;

4. Për hulumtimin e parave të vjedhura në Myftininë e Strugës;

5. Për ndërprerjen e bursave studentore si në Rijaset ashtu edhe në FSHI;

6. Për detyrim të Ministrit të arsimit për ta pranuar akreditimin e Medresesë si fakt i kryer;

7. Për marrjen në shqyrtim të tërë procesit “të akreditimit” dhe për marrje në pyetje të atyreve që lejuan mbylljen e Shkollës së Mesme Profesionale të Medresesë Isa Beu si dhe për regjistrimin e shkollës së mesme që mbanë emrin “Medreseja Isa Beu”;

8. Komision për sheshimin e të gjitha zhvatjeve, grabitjeve dhe përvetësimeve të vakëfit;

9. Për rastin e “Hotelit” të BFI-së te “Komunaleci”

10. Komision për shtëpinë te kalaja, ish-objekti i Myftinisë së Shkupit;

11. Komision për humbjen e miliona eurove mbështetje për ta ndërtuar selinë e BFI-së në Kala të Shkupit;

12. Komision për zbardhjen e tërë procesit dhe metodologjisë që sollën deri te puçi klasik me dëbimin e ish-reisul ulemasë dhe me grabitjen e postit të tij;

13. Komision për të analizuar iniciativat e dyshimta dhe involvimin e policisë për ta shpëtuar Shaqir Fetain nga puçet e ngjashme;

14. Komision për hartimin e politikave kadrovike;

15. Komision për hapjen e sektorit për Gruan Myslimane, për Rininë Myslimane, për Haxhin, për Kurbanët;

16. Komision për fetfa;

17. Komision për zgjidhjen e problemeve dhe konteksteve të brendshme;

18. Për verifikimin dhe demantimin e informatës apo të shpifjes.

19. Komision për arsyeshmërinë e regjistrimit dhe zyrtarizimit të turlifarë “Bashkësia fetare islame”.

20. Komision për analizim dhe distancim nga disa të ashtuquajtur hoxhallarë nga Maqedonia e Veriut që po propagandojnë “fe” etj.etj.


Pra, BFI-ja ka nevojë për një numër të madh komisionesh, të cilët do ta përditësonin Institucionin në opinion si dhe të cilët do ta mbanin natë e ditë në punë këtë Institucion që tashmë, mjerisht, që kur është instaluar Shaqir Fetai, ka marrur karakterin e qendrës së fitneve, të intrigave, ka marrë karakterin e entit ndëshkues dhe, së fundmi do ta marrë edhe karakterin e entit komunist që e vriste fjalën e lirë, që e ngulfaste lirinë e shprehjes, që dëshironte të sitë çdo informatë para se të dalë në opinion e që duhej të ishte ekskluzivisht në shërbim të ideologjisë marksiste-leniniste. Paramendoni të na mbillet në BFI një “ideologji shaqiriste”! Ky film ka marrur fund me përfundimin e komunizmit që mbahej nga tri shtyllat: nga UDB, nga KOS dhe nga Internimi (sot, largimi nga puna deri në pranim për t’u shndërruar në lake, në “llutkë” apo në marionetë)! Kjo është logjika marksiste-leniniste të cilës po i bën hyzmet Shaqir Fetai, mjerisht! 
Le të shërbejë ky shkrim si thirrje për transparencë dhe përgjegjshmëri brenda BFI-së, si dhe për kthimin e vëmendjes tek standardet dhe praktikat e duhura që do të mundësonin zhvillimin dhe përparimin e këtij institucioni në shërbim të besimtarëve dhe shoqërisë. Le të shërbejë si një apel ndaj ndaljes së manipulimeve dhe krijimit të një atmosfere të hapur dhe të lirë për diskutim dhe shqyrtim kritik mbi parimet e fesë islame dhe jo mbi gënjeshtrat dhe interesat e Shaqir Fetait tashmë të stërngulfatur në intrigat e veta bajate.

Leave a Reply