Moti i keq shkakton problem në porte
Rikthimi i reshjeve të shiut këtë të hënë dhe shkrirja e dëborës mund të përkeqësojë situatën e përmbytjeve në Shkodër. Rreth 3600 hektarë tokë ndodhen ende nën pushtetin e ujit. Në zonën e Dajçit, fshatin Obot dhe pjesën e nën-Shkodrës gjendja mbetet kritike. Veç tokave bujqësore ka edhe shtëpi të përmbytura.
“Situata mbetet shumë kritike, duhet ndihmë për koncentrate”.
Nga moti i keq u pezullua lundrimi i mjeteve të vogla e të mesme në Portin e Durrësit. Sipas kapitanerisë forca e detit arrin deri në 7 ballë. E njëjta situatë paraqitet edhe në portin e Vlorës. Lundrimi mbetet i pezulluar deri ditën e martë.
Sipas sinoptikanëve moti do të jetë i paqëndrueshëm gjatë javës së dytë të Shkurtit, por temperaturat do të mbeten të larta.
“Reshjet do të vijojnë të martën dhe të enjten ndërsa moti do të njohë përmirësime të mërkurën dhe të premten. Temperaturat do të jenë deri në 15 gradë. Në bregdet do të ketë stuhi dhe erë të fortë”.
Ndërsa në fundjavë pritet rënie e temperaturave me një minimum prej -7 në zonat malore dhe maksimale prej 13 gradë celsius në zonat fushore.