Bashkia e Romës ka vendosur që të ndalojë njerëzit që të ulen te shkallët e famshme spanjolle. Një prej kartolinave më të famshme të Romës nuk do të ekzistojë më në formën që shumëkush mund ta kujtojë, me njerëzit e ulur nëpër shkallë.
Oficerët e policisë kanë nisur patrullimin nëpër shkallë duke paralajmëruar këdo që tenton të ulet në to.
Ata që injorojnë paralajmërimin e policisë do të gjobiten me 250 euro, dhe gjoba mund të shkojë deri në 400 euro në rast se dëmtohen shkallët apo vihen re mbeturina e papastërti të ndryshme.
Vendimi i bashkisë së Romës ka si qëllim të mbrojë shkallët që janë një monument kulturor. “Vizitorët janë të ndaluar të ulen te shkallët. Atyre nuk ju lejohet gjithashtu të hanë në to apo të shkruajnë mbi to. Edhe shitja e produkteve te shkallët apo veshja si oficer romak për të qëllime biznesi me turistët janë gjithashtu aktivitete që nuk lejohen më”-shprehet Antonio Di Magggio, drejtues i policisë bashkiake të Romës. Të ndërtuara në vitin 1725, shkallët spanjolle janë pjesë e së famshmes Piazza di Spagna në Romë.
Banorët ndërkohë kanë mendime të ndryshme sa i përket ndalimit të fundit. “Unë kam jetuar këtu prej 30 vitesh dhe punoj çdo ditë këtu në shesh. Por tani njerëzit nuk mund të ulen te shkallët, të cilat janë një vend mjaft i rëndësishëm për vendasit dhe turistët që të të takohen dhe bisedojnë”-shprehet një banor vendas.