Bastisjet në Sindiang filluan pak pas mesnatës. Qindra policë me pushkë automatike u futën derë më derë në komunitetin e ujgurëve në pjesën perëndimore të Kinës, duke i nxjerrë nga shtëpitë, prangosur dhe futur kokën nëpër thasë, duke i kërcënuar me vrasje nëse rezistojnë, kështu fillon rrëfimin e tij ish-detektivi i policisë kineze.
“Të gjithë me dhunë i merrnim gjatë natës, nganjëherë qindra njerëz brenda një nate”, tha ish-detektivi i cili mori guximin të flasë haptazi për të bëmat duke kërkuar që të emërohet vetëm si Diang, me qëllim që t’i mbrojë anëtarët e familjes së tij që kanë mbetur në Kinë.
Gjatë një interviste triorëshe dhënë për CNN, që u realizua në Evropë ku edhe aktualisht gjendet në ekzil, Diang zbuloi detaje të rralla të asaj që e ka përshkruar si fushatë sistematike e torturimit mbi ujgurët, duke i dërguar në llogoret më famëkeqe, derisa Pekini zyrtar vazhdimisht ka mohuar këto pretendime.
“Godisni nëpër këmbë, rrihni derisa të mavijosen dhe fryhen. Deri të gjunjëzohen në dysheme dhe të fillojnë të qajnë”, ka thënë Diang, duke kujtuar sesi ai së bashku me kolegë kishin marrë në pyetje të burgosurit nëpër qendrat e mbajtjes së policisë kineze.
Ai pranoi se çdo i burgosur i ri është rrahur gjatë marrjes në pyetje, përfshirë burra, gra e fëmijë nga mosha 14-vjeçe. Këto metoda përfshinin lidhjen e njerëzve për shufre të metaltë apo të drurit, të punuara enkas për të dyshuarit, ku kishte edhe keqtrajtim seksual, goditje me rrymë dhe torturë me ujë. Të burgosurit shpesh janë detyruar që me ditë të tëra të qëndrojnë të zgjuar, e sikur kjo të mos mjaftonte – u është zvogëluar sasia e ujit dhe ushqimit.
“Secili përdorë metoda të ndryshme. Disa madje përdorin shufra apo zinxhirë. Policët i detyronin të dyshuarit të pranojnë pretendimet e tyre”, ka thënë Diang.
Shumë prej tyre janë akuzuar për vepra terroriste, por ai nuk beson se një nga qindra të burgosur të ketë qenë i përfshirë në ndonjë krim.