Autoriteti Bankar Evropian (EBA) tha se serverët e tij të postës elektronike janë komprometuar në një sulm kibernetik global.
EBA, që është rregullatori kryesor financiar i Bashkimit Evropian, tha se ka ndërmarrë masa shtesë të sigurisë, për “rikthimin e funksionalitetit të plotë” të serverëve.
“Në këtë fazë, infrastruktura e postës elektronike e EBA-s është siguruar dhe analizat tona sugjerojnë se nuk janë nxjerrë të dhëna. Nuk kemi asnjë tregues për të menduar se sulmi ka shkuar përtej serverëve tanë të postës elektronike”, tha përmes një deklarate EBA.
EBA, sikurse edhe shumë biznese dhe qeveri, përdorin serverët e kompanisë amerikane Microsoft Exchange për postën e tyre elektronike.
Microsoft, qysh javën e kaluar, ka njoftuar për sulmin e madh kibernetik.
Firma e teknologjisë ka thënë se beson se një sulmues i sponsorizuar nga shteti kinez, i quajtur Hafnium, qëndron prapa tij.
Pekini e ka mohuar çdo përfshirje.
Duke e cilësuar sulmin si “kërcënim aktiv”, sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë të premten se cenueshmëria e serverëve të Microsoft Exchange “mund të ketë ndikime të mëdha”.
“Secili që punon me këta serverë – qeveri, sektorë privatë, akademi – duhet të veprojë tani për t’i rregulluar ata”, ka thënë Psaki.