h mijëra protestues janë mbledhur në Tel Aviv për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahut, dhe lirimin e menjëhershëm të pengjeve.
Bëhet e ditur se rreth 120 mijë njerëz marshuan rrugëve të qytetit izraelit për t’i bërë thirrje qeverisë që të pranojë marrëveshjen e armëpushimit të përshkruar nga presidenti amerikan, Joe Biden.
Marrëveshja parashikon lirimin e pengjeve të kapur që nga 7 tetori dhe ndalimin e luftimeve.
Siç raportohet, gjatë protestës që besohet të ketë qenë më e madhja kundër qeverisë së Netanyahut ka pasur përleshje të shumta me policinë, me dy persona të arrestuar dhe 14 të plagosur, shkruan skynews.
“Ky mund të jetë shansi i fundit për të shpëtuar jetë”, tha njëri nga protestuesit, Gili Roman.
“Udhëheqja jonë nuk duhet të na zhgënjejë. Por kryesisht, të gjithë sytë duhet të jenë te Hamasi”, shtoi Roman.
Kjo protestë masive vjen pasi zyra e Netanyahut ka deklaruar se Izraeli nuk do të bie dakord për një armëpushim të përhershëm “pa i shkatërruar aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit”.
Megjithatë, ndihmësi i Netanyahut, Ophir Falk, tha se Izraeli e ka pranuar marrëveshjen e përshkruar nga Biden, por ka “shumë detaje për t’u përpunuar”.
Përveç protestave të vazhdueshme nga familjarët e pengjeve, Netanyahu po përballet me presion edhe nga anëtarët e qeverisë së tij, pasi dy ministra të koalicionit të tij kanë kërcënuar me dorëheqje nëse Izraeli e pranon marrëveshjen “pa e shkatërruar Hamasin”.
“Ne e dimë se qeveria e Izraelit ka bërë shumë për të vonuar arritjen e një marrëveshjeje dhe kjo ka kushtuar me jetën e shumë njerëzve që mbijetuan në robëri për javë dhe muaj”, tha Sharone Lifschitz, një nga familjarët e pengjeve.
Ndryshe, faza e parë e marrëveshjes e përshkruar nga Biden do të zgjasë për gjashtë javë dhe do të përfshijë një “armëpushim të plotë”, një tërheqje të forcave izraelite nga të gjitha zonat me popullsi të Gazës dhe lirimin e një numri pengjesh, duke përfshirë gra, të moshuar dhe të plagosur, në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë.
Faza e dytë do të përfshijë lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura të gjallë, përfshirë ushtarët meshkuj, dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza.
Faza e tretë kërkon fillimin e një rindërtimi të madh të Gazës, e cila përballet me dëme të mëdha nga shkatërrimet e luftës.