Hungaria shënoi 66% me shumë raste, Gjermania 50%
Java e fundit shënoi një rritje të rasteve të reja me Covid në mbarë botën. Sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga autoritetet shëndetësore të 202 shteteve, në 7 ditët e fundit infektimet me koronavirus pësuan një rritje në masën e 6 përqindëve.
Situata më problematike paraqitet në Europë, ku rritja është në nivelin e 13 përqindëve krahasuar me një javë më parë. Hungaria ka rritjen më të madhe nga të gjitha shtetet europiane, me 66 përqind dhe pas saj vjen Gjermania me 50 për qind më shumë raste se një javë më parë. Këto dy shtete kanë edhe rritjen më të madhe në përqindje edhe të numrit të viktimave.
Krahas tyre rritje të madhe të infektimeve dhe fataliteteve kanë raportuar edhe Sllovakia, Austria dhe Italia. Ndërkohë Britania ka patur një situatë të qëndrueshme në raport me javë pararendëse, ndërsa Rusia për herë të parë pas disa javësh ka raportuar ulje të rasteve.
Në Ballkan Greqia po përballet me një përkeqësim të ndjeshëm të situatës teksa ka raportuar një rritje me 15 për qind të infektimeve dhe 27 për qind të fataliteteve.
Rritje të rasteve me 10 për qind dhe të fataliteteve me 6 për qind ka raportuar edhe Shqipëria, ndërsa vendet e tjera të rajonit kanë shënuar një ulje të këtyre treguesve.