Ministria e Financave njoftoi se, si pasojë e operacionit kundër informalitetit, xhiroja që bizneset kanë raportuar tek Tatimet është rritur me mbi 40 për qind gjatë muajve të fundit.
Më saktësisht, sipas Financave, për periudhën 1 korrik deri më 16 shtator, bizneset deklaruan pranë Tatimeve 33 miliardë lekë, ose gati 275 milionë dollarë xhiro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Ministria bën të ditur se, kjo ka ardhur për shkak të formalizimit masiv të shumë bizneseve, që kanë operuar jashtë ombrellës fiskale. Sipas të dhënave, për periudhën 1 korrik-16 shtator, numri i kasave fiskale që raportojnë xhiron në sistemin e tatimeve është trefishuar, krahasuar me të njëjtën kohë të vitit të kaluar. Ndërsa numri i kuponëve tatimorë të lëshuar nga bizneset është rritur me 26 milionë, ose 57 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Financat pretendojnë se, masat e marra nga autoritetet publike kanë arritur të ndërgjegjësojnë pjesën më të madhe të sipërmarrësve, që kishin neglizhuar për një kohë të gjatë detyrimin ligjor për t’u regjistruar dhe kryer aktivitetin e tyre tregtar sipas ligjit.
Sipas Ministrisë së Financave, në muajin korrik, numri i bizneseve të regjistruara u rrit me 70.9% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa në gusht dhe shtator rritja e regjistrimeve ishte respektivisht 569 për qind dhe 826 për qind.
Por rritja e fortë e regjistrimeve, të paktën deri në gusht, duket se nuk ka sjellë rritje në të njëjtën masë për të ardhurat në buxhet. Sipas të dhënave zyrtare, për tetëmujorin e këtij viti, Tatimet dhe Doganat mblodhën 18.5 miliardë lekë më pak se plani i buxhetit fillestar, të cilin qeveria u detyrua ta shkurtonte në fund të korrikut për shkak të mosrealizimeve.