Qytetarët i ‘frikësohen’ thirrjes për luftë në Ukrainë
Numri i qytetarëve rusë që largohen nga vendi i tyre pas njoftimit të kreut të shtetit Vladimir Putin për mobilizim të pjesshëm të ushtrisë vijon të rritet.
Sipas të dhënave nga autoritet finlandeze pothuajse 17,000 rusë kaluan kufirin në Finlandë gjatë fundjavës, pra një rritje me 80% krahasuar me një javë më parë.
Të rinjtë rusë që folën për Reuters pasi kaluan në Finlandë nëpërmjet stacionit kufitar Vaalimaa javën e kaluar, rreth tre orë me makinë nga qyteti i dytë më i madh i Rusisë, Shën Petersburg, thanë se u larguan nga frika se do të thirreshin për luftë.
Qeveria finlandeze do të ndalojë të gjithë rusët të hyjnë me viza turistike brenda ditëve në vijim, megjithëse përjashtime mund të zbatohen ende për arsye humanitare.
Prania e shumë turistëve me viza evropiane që përdorin vendin si ndalesë për të udhëtuar diku tjetër në Bashkimin Evropian, ka shkaktuar debat në vend, duke e shtyrë qeverinë të miratojë disa kufizime.