Rritet presioni mbi presidentin Biden për të lejuar Ukrainën që të përdorë armë amerikane kundër Rusisë

Sistemet raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (Himars) janë ndër armët që Ukraina është furnizuar nga SHBA

Presioni ndaj presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të përdorë armët e furnizuara nga Perëndimi për të goditur territorin rus është në rritje, raporton BBC.

Një numër i konsiderueshëm i aleatëve të SHBA-ve deklaruan këtë javë se janë të hapur ndaj kësaj mundësisë, që Ukraina të përdorë armët e Perëndimit për të goditur Rusinë

Por presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar për “pasoja të rënda”, veçanërisht për “vendet e vogla të Evropës”.

Të mërkurën, Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken tha se qëndrimi i Uashingtonit për këtë çështje do të “përshtatet” bazuar në ndryshimin e kushteve të fushëbetejës.

Antpny Blinken ndodhet aktualisht në kryeqytetin çek, Pragë, për një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha dje se edhe pse mbështetja e SHBA për Kievin ka evoluar, “për momentin nuk ka asnjë ndryshim në politikën tonë”.

Ukraina ka luftuar për të kundërshtuar një ofensivë ruse në lindje të vendit, ndërsa qyteti i Kharkiv ka pësuar javë të tëra sulmesh vdekjeprurëse, shpesh të nisura nga Rusia nga postat ushtarake pranë kufirit ukrainas.

Deklarata e Antobny Blinken, gjatë një udhëtimi në Evropë, pasoi komentet më të drejtpërdrejta të bëra në fillim të kësaj jave nga presidenti i Francës Emmanuel Macron, i cili tha se Ukraina duhet të “lejohet” të përdorë armët e furnizuara nga Perëndimi kundër vendeve ushtarake në territorin rus – edhe pse rreptësisht jo në objektivat civile.

Macron ka mbrojtur për disa kohë “tezën” për një ndërhyrje më të drejtpërdrejtë në luftën e Ukrainës.

Javën e kaluar, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg i tha Economist se Perëndimi duhet të lejojë Ukrainën të mbrohet duke goditur bazat ushtarake në Rusi.

“Ukraina ka të drejtë të mbrohet. Dhe kjo përfshin objektivat goditëse në territorin rus”, tha ai.

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar Lord Cameron tha në fillim të këtij muaji se i takon Ukrainës të vendosë se si të përdorë armët britanike, ndërsa këtë javë zëvendësministri polak i Mbrojtjes tha se ukrainasit mund të përdorin armë polake “nëse e shohin të arsyeshme”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë në të kaluarën se është “e padrejtë” për vendet perëndimore të vendosin kufizime në përdorimin e armëve të tyre, ndërsa pranoi se Ukraina nuk mund të rrezikojë mbështetjen e partnerëve të saj.

Rusia ka reaguar me zemërim ndaj perspektivës që armët perëndimore të përdoren kundër objektivave në territorin rus.

“Në Evropë, veçanërisht vendet e vogla duhet të jenë të vetëdijshme se me çfarë po luajnë,” tha Vladimir Putin, duke vënë në dukje se shumë vende evropiane kishin “territor të vogël” dhe një “popullsi të dendur”.

Udhëheqësi rus shtoi se përgjegjësia për çdo sulm brenda territorit të vendit të tij do të binte tek furnizuesit perëndimorë të armëve, edhe nëse forcat e Ukrainës kryenin sulmet.

Leave a Reply