Fondi Saudit i Zhvillimit do të financojë 30 milionë dollarë, të cilat përmbyllin plotësisht financimin për ndërtimin e rrugës së lumit të Vlorës.
“Projekti po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe do të përfundojë në vitin 2020, sipas parashikimeve. Ai mundëson një lidhje të re për bregdetin e Jonit, më të shpejtë e më të sigurtë”, ka deklaruar ministri i Financave, Arben Ahmetaj.
Kredia është me terma të butë. Ajo ka një interes 2 për qind dhe fillon të shlyhet pas 5 vjetësh.
“Nënshkrimi i kësaj huaje tregon interesin e madh që ka mbretëria e Arabisë Saudite në mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë për të rritur mirëqënien e qytetarëve të saj”, ka thënë Mohammed Aljenaidel, nga Fondi Saudit i Zhvillimit.
Në total rruga e lumit të Vlorës ka një kosto prej 73 milionë dollarë, me pjesën tjetër që është financuar nga Fondi Kuvajtian.