Rubio: SHBA do të bëjë gjithçka për të arritur një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të dielën se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka që munden për të arritur një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës. Komentet e tij vijnë vetëm një ditë para takimit të rëndësishëm që pritet të zhvillohet të hënën në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Rubio theksoi se gjatë takimit mes Presidentit Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin në Alaskë, janë diskutuar çështje që mund të çojnë në zhvillime të rëndësishme drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.

“SHBA ndoshta nuk ka aftësinë të krijojë vetë një skenar për t’i dhënë fund luftës,” pranoi Rubio, duke nënvizuar kompleksitetin e procesit.

Sipas tij, “ka gjëra që Rusia i kërkon dhe nuk mund t’i marrë, ashtu siç ka gjëra që Ukraina dëshiron dhe nuk do t’i marrë dot.” Rubio u shpreh se për të arritur një zgjidhje, duhet të ketë diskutime të hapura mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën – temë që pritet të jetë në qendër të takimit të së hënës me Zelenskyn dhe liderë të tjerë ndërkombëtarë.

“Nuk po them se jemi në prag të një marrëveshjeje për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës,” tha Rubio, “por ka lëvizje të mjaftueshme që justifikojnë një takim të ri me Presidentin Zelensky.”

Leave a Reply