Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha të premten se “Rusia ka vendosur fokusin e saj drejt Ballkanit”, transmeton Anadolu.
Duke folur në panelin “Theksimi i diplomacisë në kohë krize” në Forumin të Diplomacisë në Antalya së bashku me presidentin bullgar Rumen Radev dhe presidentin somalez Hassan Sheikh Mahmoud, Osmani tha se Kosova po përpiqet të ruajë paqen dhe stabilitetin, së bashku me palët e saj të interesit.
“Rusia ka fokusin drejt Ballkanit dhe dëshiron të hapë një front të ri kundër Perëndimit”, tha ajo.
Duke vënë në dukje se rezultati i luftës Rusi-Ukrainë do të jetë një shembull për botën, ajo tha se Kosova mbështet “paqen që Ukraina dëshiron” dhe një rend botëror të bazuar në sundimin e ligjit.
Presidenti rus Vladimir Putin është i shqetësuar vetëm për veten e tij, në agresionin e Moskës kundër Ukrainës, tha Osmani.
“Unë mendoj se diktatorët nuk mendojnë për njerëzit e tyre. Millosheviqi gjithashtu humbi qindra mijëra ushtarë të tij, por atij i interesonte vetja e tij. Putinit gjithashtu i intereson vetëm vetja, e jo qindra mijëra ushtarët e tij”, tha Osmani.
Osmani, e cila mbështet vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, tha se në Ukrainë po ndodh një luftë shumë e paligjshme.
Ajo vuri në dukje se edhe luftërat në ndonjë vend të largët ndikojnë ekonomikisht në gjithë botën dhe tha se shembull i kësaj është lufta Rusi-Ukrainë.
Duke tërhequr vëmendjen për rëndësinë e Iniciativës së Drithit të Detit të Zi, Osmani tha se kjo tregon se diplomacia mund të fokusohet jo vetëm në siguri, por edhe në ekonomi.
Roli vendimtar i diplomacisë
Duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vendeve mike në kohë të trazuara, presidentja kosovare tha se Kosova i kushton rëndësi krijimit të partneriteteve me vende dhe blloqe si BE-ja, Türkiye dhe SHBA-ja.
Osmani theksoi se Kosova është një vend shumë i ri. “Në diplomaci, edhe fitimet e vogla janë arritje dhe fitore. Nuk mund të fitosh gjithçka menjëherë. Sinqerisht, ndonjëherë ne bëjmë hapa shumë të vegjël drejt së ardhmes”, tha ajo.
Duke thënë se përkrahja për vendet që kalojnë kohë të vështira nuk duhet të jetë një ngjarje e njëhershme, Osmani theksoi se fuqitë ndërkombëtare duhet të vazhdojnë mbështetjen e tyre pas ndalimit të konfliktit civil në një vend.
“Ishte vërtet një fitim i madh për ne që opinioni publik ndërkombëtar dhe bashkësia ndërkombëtare sidomos erdhën dhe na qëndruan pranë dhe më pas vendosën paqen”, tha ajo, duke iu referuar kohërave të trazuara që kaloi Kosova gjatë luftës.
Duke shpjeguar se njerëzit e pafajshëm, gratë dhe fëmijët vuajnë në luftëra dhe konflikte, Osmani theksoi se OKB-ja nuk duhet të mbetet e pandjeshme ndaj këtyre çështjeve dhe tha se vendi i saj është i gatshëm të ofrojë mbështetjen e nevojshme në momente të tilla.