Rusia kërcënon Europën me armë bërthamore

Raketa në Kaliningrad, nëse Finlanda dhe Suedia futen në NATO

Rusia kërcënon Perëndimin me armë bërthamore, nëse Finlanda dhe Suedia pranohen në NATO. Nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, Dimitri Medvedev paralajmëron se Moska do të dërgojë raketa bërthamore në eksklavën baltike ruse të Kaliningradit, duke futur në rrezen e goditjes me armë të shkatërrimit në masë gjithë Europën Veriore, një prej zonave më të zhvilluara të botës.

Medvedev, ish-Presidenti i Rusisë dhe një nga bashkëpuntorët më të ngushtë të Presidentit Vladimir Putin, thotë se veçanërisht anëtarësimi i Finlandës kufitare me Rusinë, do t’i mbyllë derën të gjitha bisedimeve për një Baltik pa armë bërthamore.

I cituar nga agjencia e lajmeve Reuters, Medvedev thotë se Rusia nuk ka pasur kurrë raketa të tilla në Kaliningrad, eksklavën e kufizuar nga Polonia dhe Lituania, edhe pse qeveritë e vendeve Baltike kanë hedhur dyshime vitet e fundit, se Rusia mban fshehurazi raketa bërthamore në këtë territor.

Reuters shkruan se me vendosjen e sistemit raketor Iskander në Kaliningrad mund të rrezikohet edhe Berlini, 500 kilometra larg por edhe Londra e Parisi me një largësi prej 1400 kilometrash. Dy vendet thonë se brenda pak javësh do të vendosin për të aplikuar për t’u anëtarësuar në NATO në samitin e Qershorit në Spanjë.

Leave a Reply