Rusia po mbyll konsullatat e tre vendeve ish-sovjetike baltike, tha sot Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë.
Në deklaratë thuhet se konsullatat e Letonisë në Shën Petersburg dhe Pskov, si dhe konsullatat e përgjithshme të Estonisë dhe Lituanisë në Shën Petersburg do të mbyllen dhe të gjithë punonjësit e tyre do të shpallen “persona non grata”.
Sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, një vend pritës ka të drejtë të shpallë diplomatë të huaj të padëshiruar.
Duke i bërë jehonë pretendimeve të presidentit rus Vladimir Putin për pushtimin e Ukrainës,nw deklaratw thuhet se vendimi ishte marrë “në bazë të parimit të reciprocitetit, si dhe duke marrë parasysh ofrimin nga autoritetet e këtyre vendeve të ndihmës ushtarake për regjimin e Kievit dhe për krimet e nacionalistëve ukrainas kundër popullsisë civile të Donbasit dhe Ukrainës”.
Ambasadorët e Letonisë, Estonisë dhe i ngarkuari me punë i Lituanisë në Rusi u thirrën në lidhje me “veprimet jomiqësore të këtyre vendeve”.
Sipas ministrisë së jashtme, punonjësit konsullorë dhe personeli tjetër që nuk janë shtetas rusë duhet të largohen nga territori rus brenda të njëjtit afat kohor që ishte caktuar për largimin e punonjësve të misioneve konsullore ruse nga këto vende.