Mediat: Moska, presion për të ngjallur frikë nga një luftë e mundshme
Rusia mund të jetë duke tërhequr stafin diplomatik nga Ukraina. Neë York Times citon burime pranë qeverisë ukrainase që thonë se nga 5 Janari, nga konsullatat në Kiev dhe Lvov janë larguar rreth 50 diplomatë rusë.
E përditshmja amerikane shkruan se kjo lëvizje mund të jetë një formë presioni që Moska ushtron ndaj Kievit për të mbajtur gjallë në Ukrainë frikën e një pushtimi rus.
Moska zyrtare e mohoi mbylljen e përfaqësive diplomatike ruse në Ukrainë. Aktiviteti i tyre, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme, vazhdon normalisht pa asnjë ndërprerje. Megjithatë, asnjë koment nuk jepet për largimin e diplomatëve rusë.
Të hënën, në Kiev shkuan 6 senatorë amerikanë nga të dyja partitë e mëdha, për të shprehur mbështetjen e fortë të Uashingtonit për Ukrainën në rast të një sulmi të mundshëm rus. SHBA por edhe Britania e Madhe premtuan dërgimin e armatimit në këtë vend. Rusia thotë se nuk ka në plan të sulmojë Ukrainën, por paralajmëron me pasoja të rënda antarësimin e këtij vendi në NATO.