Rusia sulmon Kievin me raketa dhe dronë, të paktën dhjetë të vrarë e dhjetëra të plagosur

Një tjetër natë tragjike për qytetin e Kievit. Forcat ruse kryen një sulm të gjerë me dronë dhe raketa gjatë natës në kryeqytetin ukrainas, duke vrarë 10 persona dhe plagosur më shumë se 30 të tjerë.

Midis viktimave është edhe një fëmijë, ndërsa 5 fëmijë janë mes të plagosurve, sipas kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitshko. Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkashenko, bëri me dije se një nga fëmijët e vrarë ishte një vajzë 14-vjeçare. Sulmet goditën mbi 20 zona të ndryshme të kryeqytetit, përfshirë edhe një kopsht fëmijësh që u përfshi nga flakët.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi bilancin tragjik dhe tha se Kremlini ka zgjedhur raketat, në vend të tryezës së negociatave.
Pamje dramatike tregojnë ndërtesa të djegura, apartamente të shembura dhe qytetarë që përpiqen të shpëtojnë nga rrënojat. Pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit përpiqen të ndihmojnë njerëzit mes rrënojave të një pallati të shkatërruar.

Nga sulmet ruse në Kiev, ka pësuar dëmtime edhe zyra e delegacionit të BE-së. Në një reagim në rrjete sociale, Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos tha se sulmet janë një shenjë e qartë që Rusia refuzon paqen.

“Delegacioni i BE-së në Kiev është dëmtuar nga sulmet ruse në zonat civile. I dënoj fuqimisht këto sulme brutale, një shenjë e qartë se Rusia refuzon paqen dhe zgjedh terrorin. Solidariteti ynë i plotë shkon për stafin e BE-së, familjet e tyre dhe të gjithë ukrainasit që po vuajnë nga ky agresion.”.

Në një deklaratë në rrjetin X, Zelensky kërkoi sanksione të reja dhe më të ashpra kundër Rusisë.

“Ne kemi nevojë për një përgjigje të bashkësisë ndërkombëtare. Sanksione më të forta. Rusia nuk ndalet vetë.”

Kjo ofensivë duket të jetë një përgjigje ndaj sulmit ukrainas kundër rafinerive ruse.

Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për paqe kanë rifilluar. Zelensky është i gatshëm për një takim me Putinin, por ka kërkuar garanci të forta sigurie nga Perëndimi për të parandaluar një tjetër sulm në rast të një marrëveshjeje paqeje.

Kreu i Forcave të Armatosura Britanike dhe përfaqësues nga SHBA kanë zhvilluar takime me Zelenskyn në Kiev, duke diskutuar hapat e ardhshëm drejt përfundimit të luftës.

Por ndërkohë që bisedimet po zhvillohen, lufta në terren nuk po ndalet. Mijëra qytetarë ukrainas vijojnë të jetojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm të raketave.

Leave a Reply