Rusia vazhdoi sulmet e pandërprera në Bahmut, duke synuar objektivat civile, tha ushtria ukrainase më 15 mars, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky u zotua se do të vazhdojë ta mbrojë qytetin në rajonin lindor të Donjeckut dhe t’i shkaktojë humbje maksimale armikut.
Rusia nisi më shumë se 90 sulme të pasuksesshme përgjatë vijës së frontit në lindje, me fokus në Bahmut, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në konferencën e së mërkurës.
Përveç Bakhmutit, i cili ka qenë epiqendra e luftimeve për muaj me radhë, forcat ruse “përqendruan përpjekjet e tyre sulmuese në kryerjen e operacioneve në drejtimet Lyman, Avdijivka, dhe Shahtarsk”, raportoi ushtria.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Malyar, i tha televizionit ukrainas më 14 mars se luftime të ashpra po zhvillohen gjithashtu rreth Kreminës dhe vendbanimeve të tjera në veri të Bahmutit.
Shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin – i cili e ka postuar një video ku shihet në qendër të Bahmutit – e ka pranuar se luftëtarët e tij po përballen më shumë vështirësi për të marrë kontrollin e qytetit.
Mbi 90 për qind e banorëve janë larguar, shumica e qytetit është nën rrënoja, dhjetëra mijëra persona janë vrarë, dhe rëndësia strategjike është minimizuar nga shefat e Pentagonit dhe NATO-s.
Presidenti Zelensky, e ka përshkruar “Fortesën e Bahmutit” si simbol të sfidës, që po përgjak ushtrinë ruse.
Për Moskën, rënia e qytetit që ajo e quan me emrin e epokës sovjetike, Artiomovsk, do të ishte fitorja e parë e madhe që nga mesi i vitit 2022 dhe do të ishte një shtytje për luftën e saj të gjerë kundër Ukrainës.
Lufta për Bahmutin është konsideruar si një prej betejave më të ashpra prej kur Rusia e ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.
Qyteti ka qenë dëshmitarë i masakrave edhe më herët: gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat pushtuese naziste grumbulluan 3.000 hebrenj në një minierë dhe i vranë./R.E.L