Samiti i radhës BE-Ballkan mbahet në Tiranë më 6 Dhjetor. Lajmin e ka bërë të ditur Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel, përmes një postimi në Twitter.
“Samitin e ardhshëm BE, Ballkani Perëndimor, do ta mbajmë në rajon, më 6 dhjetor në Tiranë, Shqipëri, për të riafirmuar angazhimin tonë të përforcuar. Ballkani Perëndimor është një prioritet kyç për Bashkimin Europian. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për njëri-tjetrin”, shkruajti Michel në një postim në Twitter.
Ky samit vjen në një moment kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur negociatat. Serbisë po i kërkohet më shumë progres në dialogun me Kosovën për të avancuar në procesin e integrimit në BE. Nga ana tjetër Bosnje Hercegovina pret statusin për kandidat, ndërsa Kosova heqjen e vizave.