Saranda u zgjua sot nga zhurma e shpërthimit të fuqishëm në një hotel, që shkaktoi panik te qytetarët, ndërsa lënda plasëse shkatërroi tërësisht godinën.
Sasia e tritolit u vendos në hyrjen e një hoteli në pronësi të Spiro Çabirit në bulevardin e qytetit ndërsa shpërthimi ka shkaktuar dëme edhe tek godinat përreth. Fatmirësisht, nuk raportohet për asnjë të lënduar.
Më parë, pronari ka pasur konflikte pronësie me ish-ortakët e tij për hotel “Bizant” si dhe për një piceri që gjendej në katin e parë. Prej vitit 2002, dy bashkëpronarët, S. Ç., dhe E. Dh., janë në një proces gjyqësor për pronësinë e këtij hoteli, njofton policia. Nuk dihet nëse shpërthimi ka lidhje me këto konflikt, por policia po i heton ato si pista kryesore.
Shpërthimi është dëgjuar në të gjithë Sarandën dhe banorët raportojnë se ka shkaktuar lëkundje të ngjashme me tërmetin. Sasia e eksplozivit të përdorur ka qenë e madhe pasi përveçse ka shkatërruar hotelin dhe picerinë ka shkaktuar dëme në pothuaj 20 biznese të tjera të shëtitore.