Kancelari gjerman, Olaf Scholz (SPD) është shprehur për gjasat e zhvillimit të bisedimeve me presidentin rus, Putin për dhënien fund të luftës në Ukrainë. “Qëllimi ynë është që Rusia t’i japë fund luftës agresore dhe që Ukraina të mbrojë integritetin e saj”, është shprehur kancelari gjerman për gazetën “Süddeutschen Zeitung”. Për këtë “do të jetë e nevojshme të flasim”, tha Scholz. “Nëse kjo do të bëhet përmes telefonit, videokonferencës apo në një tavolinë të gjatë duhet ta shohim.”
Rusia duhet ta “kuptojë, që nuk vazhdohet më kështu”, ka thënë kancelari gjerman, sipas agjencisë së lajmeve, dpa. Putini duhet “t’i japë fund luftës, të tërheqë trupat dhe të krijojë kështu mundësinë për dialog”. Apeli mund të jetë vetëm ky, sipas Scholz. “Putini, jepini fund luftës. Rreziku i një shkallëzimi për shkak të dështimit ushtarak të Rusisë është “i madh”. Në fillim të dhjetorit, kancelari gjerman telefonoi për herë të parë pas shtatorit me presidentin rus. Në bisedimin afër 1 orë, kancelari gjerman kërkoi sa më shpejt një zgjidhje diplomatike, sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.
Përtej kësaj, kancelari gjerman është shprehur për SZ, se nuk pret një emergjencë të furnizimit me gaz këtë dimër. Ai iu referua programeve të mëdha të ndihmës të qeverisë gjermane, në bazë të cilave “pritet që me këtë shumë të zbusim çmimet e larta në këtë dimër dhe atë të ardhshëm”, tha Scholz për gazetën gjermane. Në perspektivë gjendja në tregjet e energjisë do të përmirësohet, sipas Scholz. Furnizimi me gaz edhe pas ndërprerjes së gazit rus do të jetë i siguruar edhe për dimrin e ardhshëm.
Ndërkohë të shtunën (17.12.) Gjermania vuri në funksion terminalin e parë LNG lundrues në Vilhelmshafen me pjesëmarrje të kancelarit Scholz e ministrave të tjerë të qeverisë gjermane. Ky terminal do të ndihmojë për pavarësimin e Gjermanisë nga gazi rus. Ai ndërtua në kohë rekord brenda pak muajsh dhe do presë anijet me gazin e lëngëshëm LNG nga java e ardhshme. Në këtë terminal do të bëhet rikthimi i gazit të lëngshëm në formë të ngurtë për kalimin e tij pastaj në tubacionet e gazit. /DW