Në 243 vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së, në Prishtinë u përurua ndërtesa e re e Ambasadës Amerikane, e cila konsiderohet të jetë më e madhja në Ballkan.
Në ceremoni, Kongresisti amerikan, Eliot Engel tha se nuk ka shtet që punon më afër me Kosovën se sa SHBA-të dhe se gjithnjë do të qëndrojnë përkrah saj.
“Populli i Kosovës ka punuar shumë dhe e meriton shtetin e tij. Nuk ka shtet që punon më ngushtë me Kosovën sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tashmë kur njerëzit duan të udhëtojnë, nuk do të kenë më nevojë të shkojnë në ndonjë shtet tjetër për të marrë vizën, atë mund ta bëjnë këtu. Sot duket sikur ëndrra është realizuar. Brenda dhe jashtë kësaj ambasade, Shtetet e Bashkuara gjithnjë do të qëndrojnë përkrah Kosovës” , tha Eliot Engel, kongresist amerikan.
Ndërsa ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett tregoi se ambasada është më tepër se veç një ndërtesë, nga e cila nuk do të përfitojnë vetëm punonjësit e saj.
“Sektori i zgjeruar i konsullatës do të mbrojë dhe do t’ju shërbejë shtetasve dhe udhëtarëve amerikanë dhe do t’ua lehtësojë udhëtimin në SHBA biznesmenëve, studentëve dhe vizitorëve kosovarë. Do të kemi vend dhe hapësirë për ta bërë ambasadën vendtakim ku mund të takohen burrështetasit, studiuesit, artistët dhe ndërmarrësit nga të gjitha komunitetet e Kosovës. Dhe në fund, ambasada e re është manifestim fizik i përkushtimit të Amerikës për partneritet të qëndrueshëm me Republikën e Kosovës. Përderisa vazhdoni rrugëtimin për të mundësuar paqe, drejtësi dhe prosperitet për tërë popullin e këtij vendi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë përkrah jush në çdo hap” ka thënë Kosnett.
Me prezencën më të madhe amerikane në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi vlerëson se vendi është më i sigurt dhe krenar. Ndërtimi i objektit ka nisur në vitin 2015, në një hapësirë prej afër 5 hektarësh, dhe ka kushtuar 250 milionë dollarë./TCH/