Senatori amerikan Bob Menendez në takim me kryeministrin grek Aleksis Cipras e theksoi vlerën e Marrëveshjes së Prespës për stabilitet dhe zhvillim të Evropës Juglindore, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
“Zotëri Menendez e theksoi vlerën e bashkëpunimit si në suaza të NATO-s, ashtu edhe në atë bilateral. Gjithashtu ka potencuar se vendi ynë është shtyllë e stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Në këtë kontekst, e theksoi vlerën e marrëveshjes së Prespës për stabilitetin dhe zhvillimin e Evropës Juglindore dhe e uroi kryeministrin për arritjen e marrëveshjes”, kumtojnë nga kabineti i Cipras.
Kryeministri grek dhe senatori amerikan, i cili është shef i demokratëve në Komisionin e Punëve të Jashtme të senatit të SHBA-së, në takim është biseduar edhe për marrëdhëniet bilaterale, për bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve, për nismën e Menendez për sigurinë në Mesdheun Lindor, si dhe për energjetikën.
Gjatë vizitës në Athinë, senatori amerikan realizoi takime edhe me presidentin e Greqisë, Prokopis Pavlopulos, me shefin e diplomacisë greke, Jorgos Katrugalos, me ministrin e Mbrojtjes të Greqisë, Evangelos Apostolakis dhe me liderin e Demokracisë së Re, Kirjakos Micotakis.