Qeveria mbyll shkollat serbe në Kosovë
Qeveria serbe mban mbledhje dy herë në ditë kur edhe vendosen masat e reja. Qeveria serbe insiston se nuk ka vend për panik. Kanë mjete dhe spitalet janë të gatshme për t’u përballur.
“Ndjekim situatën nga ora në orë dhe do të sigurohemi që të ketë mjaftueshëm gjëra. Njerëzit nuk duhet të blejnë gjëra pasi ka si në dyqane po ashtu edhe në rezerva dhe nuk do të kemi problem”.
Autoritetet serbe falenderuan qytetarët që nuk po krijojnë panik dhe gati të qetë vazhdojnë punën e tyre. Serbët nuk blejnë gjëra të tepërta në dyqane.
Është analizuar edhe gjendja në ekonomi, kurse nëpër farmaci thonë se kryesisht nuk ka ndryshime.
“Mungesa më e madhe është tek maskat kirurgjike pasi gjëra të tjera kemi. Mundohemi të mos ketë mungesë dhe as rritje çmimesh”, thotë një farmaciste.
Qeveria Serbe ka marrë një vendim që të mbyllë shkollat serbe në Kosovë, pasi siç thonë, nuk i besojnë autoriteteve në Prishtinë.
“Duke marrë parasysh që sistemi shëndetësor jashtë hapësirave serbe nuk është i zhvilluar, por edhe besueshmërinë e informacioneve dhe kërcënimet e sigurisë, kemi marrë vendim që nga e hëna të mbyllen shkollat në Kosovë”, shprehet Marko Gjuriç.
Në Serbi janë ndaluar disa aktivitete publike, por jo vendim për mbylljen e shkollave.
Ndonëse dhjetëra njerëz të tjerë ndodhen në izolim shtëpiak, institucionet serbe thonë se nuk do të përsëritet Italia dhe qytetarët duhet të bëjnë kujdes, por jo të mbyllen nga paniku.