Deputeti i Koalicionit të Shqiptarëve në Luginë, Shaip Kamberi ka arritur të siguroj votat për deputet.
Sipas njoftimeve të para jozyrtare, Kamberi ka siguruar 686 vota (650 i duheshin) në vendvotimin numer 6 në Tërnoc të Madh të Bujanocit, ku ishin përsëritur zgjedhjet për deputet në Parlamentin e Serbisë.
Sipas njoftimeve për INA, KSHL ka marrë 686 vota, 1 votë SNS, 11 të pavlevshme. Me këtë Kamberi u rizgjodh për një mandat të ri për deputet në Kuvendin e Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe politikanë tjerë sot bënë thirrje për votimin e tij.
Madje, Kurti mes lavdesh tregoi arsyet se pse duhet të votohet Kamberi.
“Për dy mandate përfaqësimi z. Kamberi ka qenë gjithmonë i zëshëm gjatë seancave parlamentare në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe në denoncimin e regjimit autokratik në Serbi. Ai e pati mbajtur fjalimin e parë në gjuhën shqipe në Kuvendin e Serbisë së pasluftës. “Sot është një ditë e veçantë. Është ditë e parë pasi që një Gjykatë e këtij shteti ka legalizuar termin ofendues ‘šiptari’”, ishin fjalët e para të fjalimit të tij”.
“Deputeti Kamberi kundërshtonte ashpër para kuvendarëve serbë ndryshimin e pjesshëm të Kushtetutës së Serbisë, duke besuar se akti duhet të ndryshohet në tërësinë e tij. Ai përmendte si problematike preambulën e Kushtetutës, e cila përcakton Kosovën si pjesë të Serbisë”.
“Në seancën e 29 tetorit 2020, z. Kamberi listonte faktet për masakrat e Serbisë në Kosovë dhe mohimin e fshehjen e krimeve nga shteti serb. Në seancën e 26 nëntorit 2020, dy ditë para Festës së Flamurit, deputeti Kamberi kërkonte që të krijohen kushtet për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare. Skena kur gjersa diskutonte nxori flamurin shqiptar dhe e vendosi në bankën e deputetit, na pati bërë krenarë. Fjalimi i tij edhe më shumë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Tutje, Kurti vlerëson se Kamberi si deputet vazhdimisht avokonte për reciprocitet të drejtash të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me ato të pakicës serbe në Kosovë.