Senatorët amerikanë në një letër i kanë kërkuar Bidenit të ndërmarrë “hapa të guximshëm diplomatikë” për të gjetur një zgjidhje për “krizën humanitare” në Gaza
Në SHBA 19 senatorë të Partisë Demokratike i kanë shkruar letër presidentit Joe Biden, duke i kërkuar zgjidhje me dy shtete për situatën në Palestinë, transmeton Anadolu.
Senatorët amerikanë në letër i kanë kërkuar Bidenit të ndërmarrë “hapa të guximshëm diplomatikë” për të gjetur një zgjidhje për “krizën humanitare” në Gaza.
19 senatorët e Partisë Demokratike, të udhëhequr nga senatori i shtetit Delaware, Tom Carper, i kanë kërkuar presidentit amerikan të marrë masa për zgjidhje me dy shtete në Palestinë.
“Lufta e zhvilluar nga Izraeli në Gaza ka çuar në shkatërrim dhe vdekje të dhjetëra mijëra njerëzve. Ju ftojmë të ndërmerrni hapa të guximshëm diplomatikë në këtë periudhë krize”, thuhet në letër.
Senatorët janë shprehur të zhgënjyer nga refuzimi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të bashkëpunuar në krijimin e një shteti palestinez.
“Ne kërkojmë që administrata e Bidenit të krijojë shpejt kornizën që përfshin hapat e nevojshëm për të njohur një shtet palestinez të çmilitarizuar, që mbulon Bregun Perëndimor dhe Gazën, dhe të qeverisur nga një administratë efektive dhe e rinovuar palestineze”, kanë thënë senatorët.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Gaza që nga një inkursion ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor 2023, në të cilin Tel Avivi thotë se janë vrarë 1.200 njerëz.
Gati 32 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në enklavë nga sulmet izraelite dhe rreth 74 mijë të tjerë janë plagosur, përveç shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.
Lufta izraelite ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së Gazës në zhvendosje të brendshme, krahas një bllokade gjymtuese të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./AA/