Azerbajxhani dhe Armenia arritën të dielën marrëveshjen e tretë për armëpushim që nga fillimi i luftimeve në Karabakun Malor më datë 27 shtator.
I njoftuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, armëpushimi ndërmjet dy vendeve hyri në fuqi sot (26 tetor) në orën 08:00 me kohën lokale.
“Ministri i Punëve të Jashtme të Armenisë – Zohrab Mnatsakanyan dhe ministri i Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit – Jeyhun Bayramov, u takuan më 24 tetor me nënsekretarin amerikan të Shtetit – Stephen Biegun. Dy vendet konfirmuan angazhimin e tyre për të zbatuar dhe respektuar armëpushimin humanitar të arritur në (kryeqytetin rus) Moskë, më 10 tetor”, deklaroi Departament amerikan i Shtetit.
Të premten (23 tetor), sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, zhvilloi takime të ndara me kryediplomatët e Azerbajxhanit dhe Armenisë duke dhënë mesazhin se ata do të vazhdojnë përpjekjet e tyre diplomatike për zgjidhjen e problemit të Karabakut Malor.
Palët shpallën një armëpushim humanitar të dytë më 18 tetor, pas atij të parë më 10 tetor, por forcat armene e shkelën atë duke sulmuar përsëri civilët në qytetin Ganxha (Ganja) të Azerbajxhanit vetëm disa orë pas vendimit.