Shtëpia e Bardhë shprehu pakënaqësinë të enjten me kritikat e bëra rishtazi nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu për dërgesat e armëve amerikane, duke i quajtur deklaratat e tij “irrituese”.
“Këto komente ishin thellësisht zhgënjyese dhe sigurisht irrituese për ne, duke patur parasysh nivelin e mbështetjes që kemi dhënë dhe do të vazhdojmë të japim”, u tha gazetarëve të enjten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
Në një deklaratë me video të publikuar të martën, kryeministri izraelit Netanyahu tha se megjithëse ishte mirënjohës për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Izraelin gjatë luftës në vazhdim me Hamasin, “është e paimagjinueshme që gjatë muajve të fundit, administrata nuk i ka dhënë armatime dhe municione Izraelit”.
Shtetet e Bashkuara thanë sidoqoftë se bëhet fjalë vetëm për një dërgesë, me predha 900 dhe 200 kilogramëshe, që u pezullua në muajin maj, për shkak të shqetësimeve se mund të përdoreshin në zonat me popullsi të dendur në Gazë.
Ndërkohë, një ekip prej 30 ekspertësh të Kombeve të Bashkuara paralajmëruan të enjten se prodhuesit e armëve dhe municioneve që vazhdojnë të dërgojnë armë në Izrael mund të jenë bashkëpunëtorë në abuzimet e të drejtave të njeriut dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar.
Zoti Kirby u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara ia kanë komunikuar pakënaqësinë e tyre drejtpërdrejt Izraelit.