UASHINGTON – Një gjykatës federal hodhi poshtë të hënën paditë anti-monopol të ngritura kundër kompanisë Facebook nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) dhe një koalicion i prokurorëve të përgjithshëm të shteteve amerikane, duke u dhënë kështu një goditje të konsiderueshme përpjekjeve të rregullatorëve për të frenuar gjigandët e teknologjisë.
Gjykatësi James Boasberg vendosi të hënën se paditë gjyqësore ishin “ligjërisht të pamjaftueshme” dhe se nuk ofronin prova të mjaftueshme për të vërtetuar se Facebook-u është një monopol. Vendimi hedh poshtë ankesën, por jo vetë çështjen, që do të thotë se FTC-ja mund të paraqesë një tjetër ankesë.
“Këto akuza – të cilat as nuk sigurojnë një shifër apo një vlerësim aktual të përqindjes së aksioneve të Facebook-ut për asnjë moment gjatë dhjetë viteve të fundit – përfundimisht nuk arrijnë të vërtetojnë se Facebook-u kontrollon tregun”, tha ai.
Qeveria amerikane dhe 48 shtete dhe distrikte paditën kompaninë Facebook në dhjetor 2020, duke akuzuar gjigandin e teknologjisë për abuzim me fuqinë e tij të tregut në rrjetet sociale për të shtypur konkurrentët më të vegjël dhe duke kërkuar mjete juridike që mund të përfshinin blerjen e shërbimeve të mesazheve Instagram dhe WhatsApp.
FTC-ja pretendon se kompania Facebook ishte përfshirë në një “strategji sistematike” për të eliminuar konkurrencën e saj, përfshirë edhe blerjen e rivalëve më të vegjël por në rritje, si Instagram-i në 2012 dhe WhatsApp-i në 2014. Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James tha kur paraqiti padinë se Facebook “përdori fuqinë e monopolit të saj për të shtypur rivalët më të vegjël dhe për të shkatërruar konkurrencën, të gjitha në kurriz të përdoruesve të përditshëm”.
Gjykatësi Boasberg hodhi poshtë edhe padinë e bërë nga prokurorët e përgjithshëm të shteteve amerikane./VoA